Gentian Çitozi, oficeri i Policisë Gjyqësore që u pezullua nga detyra për rastin e Xhisiela Malokut është rikthyer në detyrë.

Çitozi u pezullua më 22 Korrik të këtij viti me urdhër të drejtuesit të komisariatit të Krujës, për shkak se mori në pyetje 25-vjeçaren në prezencë të Rrexhep Rrajes edhe pse ky i fundit ishte person nën hetim. Edhe pse zhurma për dhunën ndaj 25-vjeçares vazhdon ende, pezullimi i Oficerit Çitozi zgjati vetëm tre ditë.

Ndërkohë shërbimi i çështjeve të brendshme dhe ankesave referoi materialet në prokurorinë e Krujës për shpërdorim detyre dhe ndaj Çitozit ka nisur hetim penal.

Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se, Çitozi do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë dhe pse është person nën hetim dhe në rast se do të konstatohen shkelje për rastin ndaj tij do të merren masa. Nga ana tjetër Çitozi ka deklaruar përballë oficerëve të SHÇBA-së në Durrës se palët pretendonin se ishin pajtuar dhe për këtë ka vazhduar marrjen në pyetje.

Ka qenë Xhisiela Maloku që ka denoncuar pranë SHÇBA-së në Durrës se Çitozi ka marrë deklarimin e saj dhe nuk kishte vepruar sipas ligjit.

Tv Klan