Nën masa të rrepta sigurie është sjellë nga burgu i Fierit në Gjykatën e Tiranës, Zani Çaushi. Rikthimi dhe njëherë në gjykatën e kryeqytetit nga Gjykata e Lartë të çështjes së quajtur “Banda e Zanit” për krime të ndryshme si vrasje, plagosje, rrëmbim personi, grabitje me armë, përdhunime gjatë vitit 1997, ka rihapur serinë e seancave ku tashmë i pandehur ishte vetëm Çaushi.

Gjysma e shokëve të tij janë vrarë që pas lirimit në marsin e vitit të kaluar kurse pjesa tjetër nuk gjendet. Kryetari i trupit gjyqësor Altin Abdiu nuk lejoi me pa të drejtë kamerat e televizioneve në sallë duke rikujtuar dhe njëherë epokën e ish kryetarit të tij të shkarkuar. Zani Çaushi që në fillim të seancës tha se nuk e dinte pse ishte sjellë aty duke mos qenë dhe i përfaqësuar nga avokati mbrojtës.

Pikërisht mungesa e tij, por dhe e prokurorit të çeshtjes Artan Toze, detyroi trupin gjykues të shtyjë seancën më 30 tetor. I hipur në fuoristradat e Policisë së Fierit, mes shumë forcave speciale, më pas Zani Çaushi është rikthyer në qelitë e këtij komisariati ku vuan dënimin e Gjykatës së Vlorës me burg të përjetshëm për vrasjen e dy shtetasve./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj