Rikthim i vatrës italiane të Covid-19?



Rikthim i vatrës italiane të Covid-19?

17:50 19/10/2020

Infektime ditore edhe më të larta se në valën e parë

Edhe pse në nisje të valës së dytë nuk ishte problematike, pandemia në Itali ka përshpejtuar ndjeshëm ritmet e përhapjes. 24 orëshi i fundit shënoi mbi 11 700 infektime të reja, shifra më e lartë që thyen edhe rekordet e valës së parë.

Kryeministri italian Giuseppe Conte shpalli mbrëmjen e të dielës masat shtesë kundër përhapjes, që parashikojnë mbylljen e restoranteve dhe bareve pas mesnate dhe kufizimin në jo më shumë se 6 të numrit të personave në një tavolinë. Sportet amatore nuk do të lejohen.

Krahas Francës, Çekisë, Spanjës, etj., edhe Zvicra vendosi të dielën masa për frenimin e përhapjes, si mbajtjen me detyrim të maskave në ambiente të mbyllura dhe ndalimin e grumbullimeve publike me më shumë se 15 persona. Ditët e fundit shifra ka shënuar mbi 2500 infektime ditore, kurrë më parë kaq shumë.

Shqetësimin për shtimin e ritmeve të infektimeve në Europë e shprehu edhe OBSH, që publikoi statistikat më të fundit që treguan se javën mes 12 – 18 tetorit u shënuan mbi 900 mijë infektime të reja, 180 mijë më shumë se java pararendëse. Numri i të prekurve në të gjithë globin arriti shifër të re të lartë prej mbi 40 milionë të prekurish, mes të cilëve më shumë se 1.1 milionë viktima.

Tv Klan




Të ngjashme