Masa bllokuese në Britaninë e Madhe, edhe në Athinë po shqyrtohet mundësia

Teksa ritmet e infektimeve me Covid-19 janë sërish të larta ashtu si në fillim të pandemisë, shumë vende europiane po shohin si shpëtim rivendosjen e masave bllokuese për frenimin e përhapjes.

Qeveria greke po shqyrton mundësinë e vendosjes së këtyre masave në pjesën më të madhe të kryeqytetit grek. 24 orëshi i fundit shënoi rekord infektimesh në zonën e Atikës me 174 raste të reja. Në të gjithë vendin u shënua rekord absolut këtë 24 orësh me 453 raste infektimesh të reja. Ekspertët thonë se karantina është e nevojshme pasi situata mund të dalë jashtë kontrollit në çdo moment.

Në planin e ri të masave të shpalosur nga kryeministri britanik Boris Xhonson, e gjithë Irlanda e Veriut vendoset në karantinë, së bashku me zona të gjera të Uellsit. Pritet që edhe autoritetet në Skoci të shpallin ashpërsimin e masave.

Deri tani karantina është vendosur në Madrid. Në këtë vend, infektimet ditore për rreth një javë kanë qenë mbi 11 mijë. Numri i viktimave në Shtetet e Bashkuara arriti një pikë të re kulmore prej mbi 200 mijë, çka nënkupton se në çdo 5 të vdekur nëpër botë një është në Shtetet e Bashkuara.

Në shkallë globale, të prekurit nga Covid numërohen në 31.5 milionë mes të cilëve 970 mijë kanë humbur jetën dhe mbi 23 milionë janë shëruar.

Tv Klan