Dalja në kinema e një filmi shqiptar gjithnjë përbën një lajm të mirë në ngjarjet kulturore, por kur protagonist është Robert Ndrenika, ai merr edhe më shumë vëmendje.

Është skenaristi dhe për herë të parë edhe në detyrën e regjisorit, Ylljet Aliçka, që rikthen ikonën e kinemasë shqip, në filmin me titull “Lulet Plastike”. Skenari është ndërtuar mbi tregimin “Çifti” i shkruar nga vetë regjisori, një rrëfim që buron nga jeta reale.

Xhirimet janë realizuar në Tiranë dhe Shën Gjergj. Në këtë të fundit, prania e Robert Ndrenikës përbëri një ngjarje të pazakontë për fshatin.

Protagonistë e tjerë që i japin zë dhe figurë personazheve në libër janë Zana Prifti, Gent Hazizi apo Elia Zaharia.

Pas premierës sonte në kinema “Imperial”, skenaristi dhe regjisori Ylljet Aliçka “Lulet Plastike” do ta çojë edhe në festivalet ndërkombëtare të filmave.

Tv Klan