“Urdhri për mbylljen e vitit akademik 2019-2020 kërkon nga universitetet që të fillojnë një planifikim urgjent dhe serioz për mbylljen e vitit akademik në kushte të jashtëzakonshme në të cilat po punojmë”.

Kështu e nis komunikimin në Facebook ministrja e Arsimit Besa Shahini, e cila shton se çdo hapje e pjesshme e universiteteve duhet të bëhet me protokolle strikte të ruajtjes së shëndetit të studentëve dhe pedagogëve.

Shahini u shpreh se është kërkuar nga universitetet që të planifikojnë lëndët që mund të mbyllen online. Në këtë mënyrë sipas saj një pjesë e studentëve nuk do të kenë nevojë të kthehen në auditore.

Gjithashtu stafeve të universiteteve u është kërkuar numri i studentëve që duan të kthehen dhe numri i saktë i atyre që duan të bëjnë provime.

“Kemi kërkuar nga universitetet që të planifikojnë se cilat janë ato lëndë që do të mbyllen plotësisht online – pra nuk do të kenë nevojë të kthejnë studentë fare në auditorë apo laboratorë; sa është numri i studentëve që kanë nevojë të kthehen në auditorë e laboratorë për punë të ndryshme para provimeve; dhe sa është numri i saktë i studentëve që do të bëjnë provime gjatë korrikut dhe fillim-gushtit të këtij viti – gjithmonë duke prioritizuar studentët që do të diplomohen”.

Në këtë kuadër, Ministrja Shahini në video-mesazhin e saj shprehet se universitetet do të sjellin këto plane deri më datë 15 Maj. Sipas Shahinit nuk ka asnjë paqartësi ndërsa njofton se sot ka zhvilluar edhe një komunikim me rektorët e universiteteve publike.

Ajo theksoi se universitetet kanë nisur punën, ndërsa hodhi akuza ndaj opozitës për keqinterpretim të qëllimshëm dhe kaotik të urdhrit për rikthimin e një pjese të studentëve në auditore.

“Të gjithë kanë filluar nga puna tashmë për të bërë këto plane. Po organizojnë gjithë punën në kuadër të universiteteve të tyre përkundër një keq-interpretimi të qëllimshëm dhe kaotik të opozitës gjatë kësaj fundjave, po duket se universitetet nuk janë të paqarta dhe kanë filluar nga puna në mënyrë që të japin shërbimin më të mirë dhe sa më cilësor, të cilin studenti i tyre e meriton”, mbyll mesazhin e saj ministrja Shahini./tvklan.al