“Riku punonte me hashash për një grup të Elbasanit”, zbardhen detaje nga zhdukja e 35-vjeçarit



“Riku punonte me hashash për një grup të Elbasanit”, zbardhen detaje nga zhdukja e 35-vjeçarit

09:40 09/06/2020

Emisioni “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus ka vijuar për të dytën javë radhazi historinë e zhdukjes së 35-vjeçarit nga fshati Kryevidh i Kavajës. Riku Beu, që njihet edhe me emrat Tauland e Shyqyri Beu, është i zhdukur prej 3 muajsh. Për herë të fundit ai është parë në Shkup të Maqedonisë së Madhe, vend ku shkonte shpesh, por që kalonte kufirin në mënyrë ilegale për shkak të problemeve me drejtësinë shqiptare.

Elham Abdilovski, është një shqiptar i Maqedonisë dhe shok i Riku Beut. Ai ka folur për emisionin “Uniko” nga Suedia ku po qëndron aktualisht, duke treguar detaje shokuese për aktivitetin ilegal ku ishte përfshirë Riku Beu.

Elham Abdilovski flet për një grup nga Elbasani për llogari të të cilit punonte Riku Beu. Në intervistën me drejtuesin e emisionit Spartak Koka, ai thotë se Riku Beu transportonte hashash nga Shqipëria drejt Maqedonisë për llogari të grupit nga Elbasani.

Por përpara se të zhdukej, kishte ndodhur një prishje e pazareve, gjë që kishte futur Rikun në telashe me grupin e Elbasanit. Sipas Elham Abdilovskit, Riku Beu nuk kishte marrë paratë e mallit të shitur, dhe për këtë arsye nisën konfliktet. Më pas, më 7 Mars Riku Beu është parë për herë të fundit në një lokal në qendër të Shkupit dhe prej atëherë nuk ka asnjë shenjë të tij. Këto dëshmi të bëra nga shoku i Rikut, Elham Abdilovski, mund të jenë një indicie e fortë për të zbardhur misterin e zhdukjes së 35-vjeçarit nga fshati Kryevidh i Kavajës.

Spartak Koka: Në dijeni tuaj, në çfarë veprimtarie kriminale ishte i përfshirë Riku Beu?

Elham Abdilovski: Riku ka punuar me bar.

Spartak Koka: Me bar keni parasysh hashashin?

Elham Abdilovski: Me hashash.

Spartak Koka: Çfarë bënte?

Elham Abdilovski: E binte prej Shqipërie deri në Qafë-Thanë. Në Qafë-Thanë shkoja unë e kam marrë vetë atë. Unë e kam prurë në Shkup atë. Në Shkup ja kam mbajtur unë në një vend atje. E shiste….

Spartak Koka: Për kë grup punonte Riku Beu?

Elham Abdilovski: Ka punuar për një grup të Elbasanit.

Spartak Koka: Dhe a kishte patur probleme me këtë grup të Elbasanit? Sepse këto të dhëna që ju na jepni, korrespondojnë disi me deklaratën që bëri babai një javë më parë. Ne e intervistuam dhe tha, para se të zhdukej ne na kishin ardhur në shtëpi qytetarë të ndryshëm, duke mos na specifikuar emrat, dhe na kishin kërcënuar. Thonin që jemi nga Elbasani, por na kishin kërcënuar.

Elham Abdilovski: E di atë rast, edhe e di kur ka ndodhur. Kanë ardh te shtëpia me kallash t’i vrasin ata se Riku s’ja ka hapur telefonin që i kanë humbur paratë në Elbasan. Nuk i kanë humbur lekët atij në Elbasan, por malli i pashitur edhe Riku ka pasur njërin për t’i marrë mallin, edhe i thotë atij a është t’u ardh njeri për të marrë mallin t’i jap lekët. Edhe nuk u bë puna, nuk u shit malli. Edhe çfarë bën Riku? E fsheh telefonin. O Rik mos e fsheh telefonin po kallxoji këtij djalit që akoma s’është shitur, ku është malli… Tha s’i kam unë 5 copë, ka me më dal ndonjë problem tha, janë shumë të rrezikshëm, shkojë nga shtëpia më vrasin ndonjë familje, jo diçka, edhe ai më thirrte mua ai i Shqipërisë, më tha do të ta heq ty kokën. Edhe unë kam një djalë teze në Norvegji këtu…

Spartak Koka: Çfarë ndodhi me këtë kërcënim? Me kërcënimin që ju bënë edhe juve dhe Rikut, edhe çfarë ndodhi me mallin? Ku shkoi malli?

Elham Abdilovski: Mallin 5 copë ja ka marrë dikush Rikut…

Spartak Koka: Ja ka rrëmbyer?

Elham Abdilovski: Ja ka dhënë dikujt mallin edhe s’i ka prurë lekët.

/klanplus




Të ngjashme