Opinion– Pas rimandatimit të tij si Kryeministër në Shtator të vitit 2001, Ilir Meta ka qenë i ftuari i parë i sezonit të ri të atij viti në emisionin “Opinon”.

Marrëdhënia e Metës me kreun e Partisë Socialiste në atë kohë, Fatos Nano, ka qenë një ndër temat më të diskutuara dhe drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu e pyeti pikërisht për të. Kryeministri i asaj kohe tha se ai gjithnjë ka pasur vullnetin e mirë për të bashkëpunuar në mënyrë të hapur dhe të qëndrueshme, por mohoi gjithashtu të ketë pasur mungesë vullneti nga Nano.

 “Unë jam Kryeministër i Partisë Socialiste, jam i votuar në Partinë Socialiste dhe siç kam deklaruar para votimin dhe pas votimit jam Kryeministër i të gjithë socialistëve dhe mbaj përgjegjësi përpara tyre, ashtu sikurse kam theksuar që do të punoj që të jem Kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Unë asnjëherë nuk kam punuar për ta ndarë Partinë Socialiste. Dëshiroj të theksoj se gjithnjë kam pasur vullnetin për të bashkëpunuar në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë me kryetarin e PS, me sekretarët e partisë, kryesinë, strukturat qendrore dhe lokale. Kjo është shumë e rëndësishme për të rritur efikasitetin e qëndrueshmërisë së vendit dhe për të bërë të ndërgjegjshme Partinë Socialiste për problemet që vendi ka.

Nuk dëshiroj të them që nuk ka pasur vullnet nga ana tjetër për të bashkëpunuar, por unë jam për bashkëpunim të qëndrueshëm, afatgjatë, të hapur dhe kështu shpresoj të jenë edhe të tjerët në Partinë Socialiste. Unë nuk kam menduar asnjëherë se ky mandat do të jetë i përjetshëm, përkundrazi ajo që unë kam kërkuar ka qenë shumë e ndershme dhe demokratike që konkurrimi të bëhej përpara zgjedhjeve në mënyrë që të dal përpara popullit të shpalosë programin. Por unë mora pjesë edhe në këtë konkurrim sepse në fund të fundit nga çdo konkurrim ne mund të mësojmë. Qeveria që unë kam krijuar është shumë e gjerë dhe mund të ketë ministra që mund të mos kenë votuar për mua, por ky nuk është elementi im kryesor”, tha Meta.

Ai gjithashtu foli edhe për prioritetet e qeverisë së tij dhe theksoi se integrimi në BE mbetej prioritet i prioriteteve.

“Kjo qeveri ka shumë prioritete. Dëshiroj të përsëris se vendi po kalon në një fazë të re. Kemi hyrë në një periudhë stabilizimi dhe pjekurie të demokracisë. Prioritet i prioriteteve është integrimi evropian dhe forcimi i autoritetit të ligjit. Shumë i rëndësishëm mbetet zhvillimi i ekonomisë së vendit, nxitja e investime vendase dhe të huaja”, shtoi Meta. / tvklan.al