Pritet futja në kalendar e kërkesës për shkarkimin e Metës

Kuvendi rimblidhet sot në orën 10:00 për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Dje paradite Konferenca e Kryetarëve vendosi zhvillimin e seancave plenare në datat 4 Maj, 6 Maj, 13 Maj dhe 20 Maj 2021.

Çështja më e rëndësishme që pritet të diskutojë sot Kuvendi është ajo e shkarkimit të Presidentit të Republikës. Nisma për shkarkimin e Ilir Metës është depozituar nga 50 deputetë të Partisë socialiste. Kreu i shtetit akuzohet nga mazhoranca socialiste se ka shkelur Kushtetutën me deklaratat gjatë fushatës zgjedhore duke sjellë ndasi sociale politike mes njerëzve

Gjithashtu në seancën e sotme në rend dite janë edhe disa dekrete të Presidentit si dhe akte normative të qeverisë që lidhen me marrëveshje për sigurimin e vaksinave.

Në këto seanca të fundit Kuvendi do të mblidhet me deputetët aktual ku shumica prej tyre do të ulen për herë të fundit në parlament, ndërsa 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit do të betohen në shtator.

Klan News