Rimëkëmbja pas goditjes së Covid-19



Rimëkëmbja pas goditjes së Covid-19

21:26 06/06/2020

Propozimet: Nga ulja e taksave tek kthimi në atdhe i profesionistëve shqiptarë

Dalin sugjerimet e para për  rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia Covid-19. Këshilli i Investimeve ka kryer fillimisht një anketë tek sipërmarrjet për të mësuar gjendjen e tyre gjatë periudhës Mars-Maj 2020.

Në përfundim të këtij sondazhi thuhet se COVID-19 ka ndikuar çdo sektor të ekonomisë shqiptare dhe ndër të gjithë sektorët ekonomikë, turizmi është më i prekuri me një mbyllje të veprimtarisë deri në 75%, ndërsa sektori i bujqësisë vazhdoi punën pjesërisht ose tërësisht në 81% të saj. Anketat sjellin panoramë të zymtë për aktivitetin e disa kompanive ku sfidë në këtë periudhë kanë qenë vështirësitë në pagesën e pagave, mungesa e klientëve dhe e likuiditetit.

Për të mbijetuar, shumë subjekte thonë se  shohin mundësinë e uljes së kostove, kryesisht duke pushuar nga puna punonjësit apo duke ulur prodhimin. 86% e kompanive shqiptare kanë pohuar se nuk kanë plan të aprovuar emergjence për të përballuar situata të paparashikuara.

Por si do të vijë rimëkëmbja?

Këshilli i Investimeve sjell një grup propozimesh duke ja vënë në tryezë qeverisë. Pas masavse shtrënguese duhet një reformë fiskale me fokus konkurreshmërinë, stabilitetin, futjen e kapitaleve, transparencën në përdorimin e fondeve publike.

“Hartimi i një reforme fiskale që nxit konkurrueshmërinë e fokusuar në uljen e taksave që të bëhemi më konkurrentë se vendet e tjera të rajonit;  kjo masë të zgjasë të paktën 5 vite në mënyrë që bizneset të planifikojnë investimet afatgjata; normë më e ulët taksimi për investimet strategjike”.

Propozimet janë bërë edhe në bazë të sektorëve ku për turizmin rekomandohen incentivimi i sektorit në drejtim të zgjatjes së sezonit turistik përmes ofrimit të subvencioneve në një masë prej 10-20 Euro për ditë/pushues për pushimet më të gjata se 3 ditë, për periudhën Prill-Maj dhe Shtator-Tetor dhe hapja e menjëhershme e kufijve midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përjashtuar detyrimin e karantinës 14-ditore.

Rimëkëmbja fokusohet edhe tek  rritja e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në tregjet globale, incentivimi i eksporteve dhe produkteve ‘Made in Albania’ përmes një pakete inkurajuese ligjore për sipërmarrjet që mund të jenë konkurruese në tregje globale, përmes subvencionimeve të këtyre sektorëve si edhe nxitja e një bashkëpunimi të shpejtë ekonomik me Kosovën.

Me rëndësi në situatën e krijuar pas pandemisë shikohet edhe hartimi i një politike inkurajuese për tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Sipas propozimeve, incentivim fiskal përmes lehtësimit nga taksat për një periudhë 5-vjeçare mund të bëhet bazuar në disa elementë siç janë investimi me vlerë mbi 1 milionë Dollarë dhe që gjeneron mbi 50 vende të reja pune gjatë 2020-2021.

Mjaft i domosdoshëm në këtë situatë është edhe kthimi në atdhe  i profesionistëve shqiptarë nga jashtë Shqipërisë, dhe për këtë kërkohen politika të duhura.

Në rekomandimet në të mirë të rikuperimit të shpejtë, kërkohet gjithashtu rishikimi tërësor i realizimit të performancës për të gjitha marrëveshjet koncesionare për pasuritë kombëtare të dhëna me koncesion. Verifikime të hollësishme të realizimit apo jo të kushteve të planit të biznesit të propozuar.

Klan Plus



Të ngjashme