Shtëpia e ëndrrave të Walter dhe Alessandra Lopes u përfshi nga flakët gjatë zjarreve shkatërruese të Janarit në Los Angeles.

Tani, katër muaj më vonë, ata janë ndër të parët që kanë nisur procesin e rindërtimit në lagjen Pacific Palisades.

“Unë besoj se kjo do të sjellë shpresë, motivim. Një shtëpi këtu, një shtëpi atje, dhe papritmas e gjitha lagjia do të rikthehet sic ishte. Nëse për këtë do të duhet tre vjet, katër vjet apo pesë vjet, askush nuk e di, por ndjenja e të ndihmuarit të njëri tjetrit, pra fryma e komunitetit nuk do të zhduket. Ringritja e qytetit është vetëm çështje kohe”, tha Walter Lopes, pronari i shtëpisë.

Çifti amerikan shprehet se ndërtimi i shtëpisë së tyre është një shenjë shprese se Los Angeles po rimëkëmbet.

“Sigurisht që nuk është mirë të shohësh që jemi e vetmja shtëpi në lagje, në rrugë. Por po e bëjmë këtë. Ky është kontributi ynë, duke treguar se ka ende shpresë, ka një të ardhme”, tha Walter Lopes, pronari i shtëpisë.

Për Walter dhe Alessandra Lopes, humbja e baneses së tyre ishte “traumatike”, por ata po përpiqen të jenë pozitivë.

“E humbëm shtëpinë vetëm një ditë pasi u kthyem nga Brazili ku ndodheshim për pushime. Mund të them se fëmijët dhe gruaja ime kaluan në depresion. Është një miks emocionesh. Për mua do të thotë shumë që po i jap mundësinë familjes time të kthehet sërish në lagje”, tha Walter Lopes, pronari i shtëpisë.

Kryetarja e Bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, vizitoi familjen Lopes dhe premtoi se autoritetet do të bënin gjithçka për të ndihmuar pronarët e shtëpive në përpjekjet e rindërtimit pas zjarreve.

“Kjo është një nga shumë shtëpi të tjera në të gjithë Palisades. E di që çdo ditë për Walter, Alessandra dhe familjen e tyre e çdo familje në Palisades, edhe pse gjërat po ecin shpejt, çdo ditë duket shumë e gjatë. Megjithatë, shpresoj që ajo që po ndodh këtu të jetë një simbol i vërtetë shprese dhe inkurajimi për të gjithë në Palisades”, tha Karen Base, kryetarja e Bashkisë së Los Angeles.

Teksa Los Anxhelosi po rimëkëmbet, inxhinierët mjedisorë, planifikuesit urbanë dhe ekspertët e fatkeqësive natyrore janë angazhuar për të kthyer normalitetin në lagjet e ndryshme amerikane.

“Rreth 2,000 pronave u janë pastruar plotësisht mbeturinat dhe kanë marrë miratimin përfundimtar nga qarku. Ky është një hap i detyrueshëm për lëshimin e lejeve. Autoritetet po lëvizin me shpejtësi, duke përshpejtuar afatin kohor për të sjellë familjet në shtëpi”, tha Karen Base, kryetarja e Bashkisë së Los Angeles.

Nga 7 deri më 31 Janar 2025, rreth 14 vatra zjarresh shkatërruese prekën zona te Los Angeles, San Diegon në Kaliforni dhe shume vende te tjera.

Zjarret u përkeqësuan nga kushtet e thatësirës, ​​lagështia e ulët, dhe erërat e forta të cilat në disa vende arritën shpejtësinë 160 km/orë. Të paktën 30 persona humbën jetën, më shumë se 200,000 u evakuuan. Raportet flasin për rreth 18,000 shtëpi dhe struktura të shkatërruara ndërsa u dogjën mbi 57,000 hektarë në total.

Pjesa më e madhe e dëmeve ishte nga dy vatrat më të mëdha: në Eaton në Altadena dhe Palisades në Pacific Palisades, të dy të cilët u vunë plotësisht në kontroll më 31 Janar 2025.

Ekspertët thonë se fuqia shkatërruese e zjarreve u shumëfishua sepse shtëpitë e vjetra u ndezën njëra pas tjetrës.

Autoritetet e Kalifornisë kërkojnë që të gjitha shtëpitë në zonat me rrezik të lartë të përdorin materiale që nuk favorizojnë flakët në këto raste.

Megjithatë, në lagjen Palisades, shumica e shtëpive nuk ishin në përputhje me rregullat e ndërtimit, sepse ato u ndërtuan në vitet 1950 dhe 1960.

Klan News