I akuzuar si nga anëtarët kryesorë të një grup kriminal mafioz të cilët merrnin përfitime ekonomike përmes fajdeve, hapjes së kazinove dhe marrjes me dhunë të borxheve, një kinez ra në prangat e policisë shqiptare.

25-vjeçari Guanghui Lai sapo kishte hyrë në Tiranë dhe sipas autoriteteve kufitare kishte ndjekur itinerarin Hong Kong- Turqi me destinacion final Shqipërinë. Edhe pse autoritetet kineze kishin lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar nuk dihet se si ai ka mundur t’i shpëtojë policive të dy vendeve.

Autoritetet shqiptare kanë marrë në pyetje të riun lidhur me vizitën e tij në Shqipëri edhe pse ai ka deklaruar se kishte mbërritur si turist. Në ditët në vijim pritet të kryhet edhe ekstradimi i tij drejt Kinës atje ku do të vuajë edhe dënimin prej 10 vitesh burg. Sipas policisë në vitin 2013, 25-vjeçari sëbashku me pjesëtarë të grupit të Guangdongut në Kinë kishin rrëmbyer një person duke e detyruar atë të ripaguante një borxh, në vlerën e 3.8 milion Yuan kinez.

Po në të njëjtën mënyrë në vitin 2014 Lai dhe grupi ku bënte pjesë kishin detyruar një tjetër biznesmen të shiste 23 suita hoteli, 40 vend parkime dhe 6 automjete me çmim shumë të ulët.

Tv Klan