Pezullohen fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit për shkak të fillimit të grevës pa afat të punonjësve të saj. Do të lejohen vetëm fluturimet ushtarake me mision humanitar, të personaliteteve të huaja që vijnë në vendin tonë dhe të qeveritarëve shqiptarë që udhëtojnë jashtë shtetit.

Kushtet kryesore të sindikalistëve janë rritja 50 % e pagave të punonjësve të Aeroportit, shkarkimi i drejtorit, abrogimi i ligjit për përfitimin e 70 përqindëshit dhe kthimi i ndërmarrjes në Shoqëri Aksionere. Pas bisedimeve është plotësuar vetëm një kërkesë. Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Transportit në të gjithë Shqipërinë për Tv Klan shprehet:

Presidenti i Sindikatës: Sindikata e Pavarur e Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror i është drejtuar Qeverisë me 8 kërkesa. Nga 8 kërkesa deri tani është zgjidhur një kërkesë e gjysëm. Shkarkimi i drejtorit dhe një zgjidhje prej 30 % e pagës. Kjo është ofruar nga zoti Pëllumb Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Aviacionit Civil. Komisioni i grevës vendosi të vazhdojë grevën pa afat./tvklan.al