Çmimet e biletave të fluturimeve ajrore në Shqipëri janë më të shtrenjtat në rajon dhe Europë. Edhe pse u tentua të përdoret një politikë lehtësuese për futur linjat Low Cost, sërish qytetarët shqiptarë vijojnë të paguajnë çmime të kripura, madje disa fish më të larta krahasuar me aeroportet afër Tiranës, siç janë ai i Shkupit apo Prishtinës.

Koncesionari i Rinasit mban një tarifë 5 herë më të lartë se aeroportet e tjera të ngjashme të rajonit për ulje-ngritjet e avioneve në pistë. Tarifa e ketij shërbimi në Podgoricë për nje avion me peshë 7 ton është 59.5 Euro, në aeroportin e Shkupit është 51.4 Euro, në Prishtinë 36.6 Euro, ndërsa Aeroporti i Tiranës ka një çmim prej 120 Eurosh për të njëjtin avion. Nga këto të dhëna rezulton se Rinasi operon me tarifa 2 deri në 3 herë më të larta se aeroportet e vendeve fqinje.

Televizioni Klan ka përpunuar edhe të dhënat e tarifave të shërbimit të kargos, në aeroportin e Tiranës dhe në aeroportet e ngjashme me Rinasin në rajon. Nëse tarifa më e lartë e transportit të bagazheve për rajonin është 0.02 Euro për kilogram, koncesionari në Shqipëri mban një çmim 0.03 Euro për kilogram.

Gjashtë herë më i lartë se në aeroportin e Podgoricës dhe të Shkupit është edhe çmimi për shërbimin e ndriçimit të avionëve që ulen natën. Në Podgoricë ky shërbim ofrohet kundrejt një pagese 2.1 Euro për ton, në Shkup 1.8 Euro, në Prishtinë 5.2 Euro, ndërsa aeroporti “Nënë Tereza” e ka këtë tarifë 12 Euro.

Të gjitha këto tarifa të larta për kompanitë e fluturimeve ajrore përkthehen në kosto për qytetarët që përdorin këtë aeroport. Të fluturosh nga Shqiperia apo nga vendet e tjera për në Shqipëri, biletat janë më të kripurat në rajon. Të dhënat tregojnë se afërsisht 40 % e parave që qytetarët shqiptarë paguajnë në një biletë, janë taksa që i merr koncesionari.

E megjithatë, pavarësisht kësaj situate, Autoriteti i Konkurrencës nuk ndërhyn për stabilizimin e tarifave në përputhje me kostot, pasi koncesionari i Rinasit është kompani me shërbim ekskluziv dhe me ndjeshmëri të lartë në treg.

Tv Klan