Pas grabitjes së parave në pistën e Rinasit, një tjetër skandal ka dalë në dritë mbi masat e sigurisë në pistën e aeroportit. Bëhet fjalë për vjedhjen e sendeve nga valixhet e pasagjerëve, ngjarje të ndodhura në mënyrë të përsëritur.

Përmes një letre që disponon televizioni Klan, Policia e Rinasit u ka bërë një kërkesë kompanive ajrore që të marrin masa për parandalimin e ngjarjeve të tilla. Në letër u kërkohet kompanive ajrore të vendosin kamera portative brenda barkut të avionëve ose bagazhet të ngarkohen në konteinerë për të shmangur kontaktin me punonjësit.

Punonjësit të cilët merret me ngarkimin dhe shkarkimin e bagazheve janë në varësi të kompanisë TIA. Nga ana tjetër, Policia e Rinasit pak kohë më parë i kërkonte kompanisë që ka nën administrim Rinasin të merrte masa për sigurinë e aeroportit pasi kishin evidentuar probleme në portat e emergjencës, por edhe në mungesën e sensorëve në gardhin rrethues metalik.

Por TIA i injoroi shqetësimet e përsëritura të policisë, duke thënë se nga të gjitha auditimet nuk kishte dalë asnjë problem me sigurinë e aeroportit, ku mesditën e 9 Prillit grupi i Admir Muratajt hyri në pistë dhe nën kërcënimin e armëve mori rreth 6.5 milionë Euro.

Tv Klan