Rama inspekton punimet në kantierin e Fushë-Krujës

Kjo është lagja e re ku po ngrihen banesat për të pastrehët e tërmetit të 26 Nëntorit në Fushë-Krujë. 128 banesa individuale dhe 15 pallate, por edhe shkolla, qendra shëndetësore, zyra shërbimesh publike, zona të gjelbra, si edhe një treg për produktet e zonës do të jenë pjesë e kësaj lagjeje të re e shtrirë në 10 hektarë.​ Infrastruktura lidhëse është në përfundim, ndërkohë që puna vazhdon paralel me shtëpitë.

“Këtu kemi 128 njësi individuale, nga të cilat janë 40 pllaka të themeleve që janë bërë dhe 12 kanë filluar dhe muraturën, ndërkohë që me pallatet, javën që vjen hapim nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit prokurimin”.

Kryeministri Rama kërkoi detajime të projektit, por edhe afatin e përfundimit të punimeve. Rama ishte më pas edhe në Krujë, për të parë ecurinë e ndërtimit të shkollës dhe kopshtit në Larushk e cila do të ndërtohet e re së bashku me 13 të tjera në këtë zonë.

“Kjo është shkolla ‘Hajdar Hoxha” në Larushk të Bashkisë Krujë, pjesë e prokurimeve të fazës së tretë. Rishtas, një muaj e pak ka që ka filluar. Kryetari i ka ndjekur nga afër punimet së bashku me supervizorët dhe operatorët”.

Shkolla ka gjithsej 16 klasa, nga të cilat 13 për shkollën dhe 3 për kopshtin, ku do të akomodohen rreth 320 nxënës.

Tv Klan