95.8% e familjeve në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri në bashkinë Durrës nuk kanë mundur të përdorin aplikacionin “Shtëpia ime” të vënë në dispozicion nga qeveria si mënyrë për të përfituar nga fondet e rindërtimit pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019.

Të dhënat janë bërë publike në tryezën e parë të organizuar nga shoqëria civile në lidhje me procesin e rindërtimit dhe situatën social-ekonomike të banorëve në zonat rurale të Durrësit.

Mirela Arqimandriti, drejtore e “Aleancës Gjinore për Zhvillim”, organizata që ka udhëhequr studimin në terren, vuri theksin që në fillim të takimit se pavarësisht ecurisë pozitive, janë të shumtë banorët që kanë ngritur pretendime për sistemin e pikëzimit mbi vlerësimin e dëmit që shkaktoi tërmeti si dhe vështirësitë që kanë hasur në aplikim.

“Mungesa e një vlerësimi të thelluar ka bërë që dëmshpërblimi të mos shkojë në përpjestim të drejtë me nevojën në rastin e riparimit të banesave, ndërsa mbetet i paqartë procesi i riparimit të mjediseve të përbashkëta dhe fasadave të pallateve”, nënvizoi Arqimandriti teksa shtoi më tej se në procesin e aplikimit rreth 40% e të anketuarëve kanë pohuar se kishin vështirësi në plotësimin e dosjes ndërsa 49 familje janë shprehur se nuk kanë përfituar nga ky proces.

Gjendja social-ekonomike e këtyre banorëve mbetet ende një shqetësim, e për këtë arsye Arqimandriti vuri theksin tek nevoja që paralelisht me rindërtimin, çdo bashki të kthejë sytë edhe tek punësimi pasi në 54.7% të familjeve, kryefamiljari ishte pa punë, ndërsa aty ku gruaja ishte kryefamiljare, në 65% e rasteve rezultonin të papuna.

I pyetur në lidhje me familjet që ende nuk kanë mundur të aplikojnë dhe nëse do të ketë një rihapje të procesit për to, ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Rimëkëmbjen Arben Ahmetaj u shpreh: “Procesi ka një fillim dhe një mbarim. Ështe hapur 3 herë. Pikërisht për të dhënë mundësinë që të aplikonin edhe ata qe nuk e kishin bërë edhe prej mosbesimit”.

Ahmetaj vuri në dukje më tej mundësinë që u është dhënë gjatë procesit atyre familjeve që kanë ngritur pretendime mbi vlerësimin.

“Janë inxhinierë të pavarur që bëjnë vlerësimin dhe ai futet në dosje. Kushdo qytetar që është i pakënaqur, duhet të bëjë një ankesë dhe të kontraktoj privatisht një inxhinier me licencë për të bërë vlerësimin e dytë. Në çdo rast fjalën e fundit edhe pas vlerësimit të dytë e ka Instituti i Ndërtimit”, tha ministri për Rindërtimin dhe Rimëkëmbjen.

Familjet në Sukth dhe Katund i Ri janë pyetur në këtë hulumtim edhe nëse u janë kërkuar para nën dorë për të përfituar nga programet e rindërit. Edhe pse vetëm 3 prej 334 familjeve të intervisutara pretendojnë që u kanë kërkuar para, koordinatorja e projektit vëzhgues në terren, Marinela Seitaj bën me dije se 38% kanë zgjedhur të heshtin, duke mos iu përgjigjur pyetjes ndërsa 44.2% mendojnë se ka vonesa në zbatimin e programit të rindërtimit.