“Rindërtimi” përshpejton daljen në tregje për Eurobondin 500 mln euro

“Rindërtimi” përshpejton daljen në tregje për Eurobondin 500 mln euro

17:30 17/12/2019

Financat kërkojnë kompani konsulente për procesin e emetimit

Qeveria ka hapur tenderin për të përzgjedhur konsulentin, i cili do të asistojë për daljen e saj në tregjet ndërkombëtare në fillimi të vitit të ardhshëm për emetimin e një Eurobondi të ri me vlerë 500 milionë euro.

Afati i maturimit të një pjese të Eurobondit ekzistues është duke përfunduar, çka ka detyruar Ministrinë e Financave që të përshpejtojë procedurën për emetimin e një të riu, i cili do të rinovojë një pjesë të të vjetrit, ndërsa afro 200 milionë euro janë Eurobond i ri. 

Burime pranë këtij institucioni thonë se edhe financimi i projekteve të rindërtimit pas tërmetit kërkon rritje të huamarrjes publike, duke e bërë të pashmangshëm përshpejtimin e procesit për marrjen e borxhit në tregjet ndërkombëtare.

Për konsulentin është hapur një tender ndërkombëtar dhe asistenca llogaritet të kushtojë 200 mijë euro.

Ministria e Financave kërkon konsulencë në aspektet juridike dhe fiskale të emetimit të letrave me vlerë duke synuar tregje të Amerikës së Veriut dhe vendeve të zhvilluara europiane.

Kjo është hera e katërt që qeveria po përdor si instrument për marrjen e borxhit daljen në tregjet ndërkombëtare.

Risku i Eurobondit lidhet me normën e interesit që ofrojnë investitorët, por nga ana tjetër nuk ezauron fondet e bankave për t’i dhënë borxh qeverisë dhe i jep asaj mundësi të marrë hua në një shumë më të madhe. Herën e fundit, në vitin 2017-ë norma e interesit të tij shkoi në 3.55%.

Tv Klan



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi