Veliaj: Tirana do të kthehet në një kantier ndërtimi

Këtë javë do të nisë shpërndarja e 3 mijë pagesave cash për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ndërsa inspektoi shtëpinë e fundit të rindërtuar për shkak të dëmeve nga tërmeti i shtatorit të vitit të kaluar, Veliaj tha se Tirana do të kthehet në një kantier ndërtimi.

“Do të vazhdojmë me 3000-shen tjetër këtë javë, e mandej me pjesën e tretë dhe të fundit. Ndërkohë, po këtë javë fillojmë me investimet në banesat individuale, fillimisht në zonën e Farkës, pastaj në Baldushk, Zall-Herr, për të mbyllur gjitha zonat rurale. Më tej, fillojmë me infrastrukturën për pallatet”, tha kryetari i Bashkisë.

Sipas kryebashkiakut, deri tani ka nisur tërheqja e parave në njësinë numër 8.

“Për tërmetin e Nëntorit ka më shumë pagesa sepse dëmi ishte më i madh. Kemi filluar me shpërndarjen e 3000 pagesave të para. Në Njësinë 8 ka nisur tërheqja e parave në postë. Nëse qytetarët na japin llogarinë bankare, derdhja do t’u bëhet në bankë. Nëse pëlqejnë ta marrin me kartë identiteti në postë, mund ta marrin cash në dorë”.

Shumë shpejt pritet të nisë projekti i rindërtimit të shtëpive që kanë rezultuar të pabanueshme pas tërmetit të 26 Nëntorit.

Tv Klan