Bisedime në nivel teknik për targat, energjinë dhe të pagjeturit

Ne Bruksel kane rifilluar bisedimet dy ditore ne nivel teknik mes Kosovës dhe Serbisë pas takimit të fundit në nivel të lartë i zhvilluar më 19 Korrik pa ndonjë rezultat konkret.

Qeveria e Kosovës përfaqësohet në Bruksel me delegacionin që kryesohet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Pritet që delegacionet e të dyja shteteve të zhvillojnë takime me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe ekipin e tij.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se në këto takime do të diskutohen “çështjet aktuale” dhe për “rrugën përpara në vazhdimin e dialogut”. Stano ka thënë se Brukseli pret që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialog, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me vizitat zyrtare. Palët do të flasin për zbatimin e Marrëveshjes për energji, asaj për targat e veturave dhe për personat e zhdukur me dhunë.

“Palët janë pajtuar për modalitete të qarta për shqyrtimin dhe zbatimin e vizitave zyrtare dhe kjo marrëveshje nuk do të duhej të politizohej. Vizitat nga të dyja palët duhet të bëhen në atë mënyrë që ndihmon procesin e normalizimit të raporteve dhe kontribon në punën e përgjithshme në kuadër të dialogut.

U bëjmë ftesë palëve që të adresojnë dhe zgjidhin të gjitha mospajtimet, përfshirë vizitat zyrtare, në kuadër të dialogut dhe të promovojnë atmosferë e cila është në përputhje me pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në dobi të qytetarëve”.

Serbia ka shprehur pakënaqësi, pasi Kosova i ndaloi më 3 shtator vizitën në Kosovë shefit të ekipit serb për dialogun, Petar Petkoviqit pasi në tri vizitat e fundit të tij, ai kishte bërë “deklarata provokuese” dhe “haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse”.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Klan News