Emisioni i dashur për fëmijët, “Në Kurthin e Piter Pan” rinisi këtë të hënë pas disa javëve për shkak të masave të marra për pandeminë Covid-19.

Ndryshe nga herët e tjera, në studio nuk ishin fëmijët e vegjël, gazetarët e së ardhmes, të cilët shpeshherë krijojnë humor, por edhe “thumbojnë” të ftuarit me pyetjet e tyre. I çuditshëm ishte ky fakt për drejtuesen e programit, Alketa Vejsiu.  

“E çuditshme që gjendem vetëm, por nuk jam vetëm se ju jeni me mua”, tha Vejsiu. Ajo bëri thirrje për kurajo, pasi njerëzimi ka kapërcyer sfida edhe më të vështira.  

Tek koronavirusi, Vejsiu sheh dy fytyra, një të shtrigës dhe një të princeshës.

“Kurajo, forca do t’ia dalim, njerëzimi ka kapërcyer sfida më të rëndësishme se ky. Mbase është një sprovë për të përballuar sfida më të mëdha që mund të vijnë. Ky koronavirus i famshëm ka dy fytyra e thënë me fjalët e vogla që fëmijët duhet të kuptojnë se ky program i kushtohet atyre. Njëra është e shtrigës që të tremb, të shqetëson, cënon jetën, ëndrrat, liritë, por tjera është fytyra e mirë, ajo e princeshës pasi karantina për shumë nga ne ka qenë e ëmbël sepse kemi qëndruar më afër fëmijëve tanë. Për të mos thënë që kjo karantinë i ka dhënë frymë tokës”, tha Vejsiu, teksa nuk mungoi së falenderuari mjekët që janë në ballë të luftës me Covid-19.

“Disa të tjerë nuk e ndaluan misionin e tyre”, tha Vejsiu./tvklan.al