Zgjidhet kreu i ILD-së

Kuvendi rinisi këtë të hënë punën pas 1 muaj pushimesh. Sesionin e VI të legjislaturës së IX të parlamentit e hapi kreu i saj, Gramoz Ruçi, i cili renditi objektivat.

“Objektivi ynë themelor dhe numër 1 do të jetë çelja e negociatave të anëtarësimit në ose para Majit të këtij viti. Në funksion të këtij objektivi do të punojmë për zbatimin e planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të KE të vitit 2019. Do të miratojmë planin strategjik të Kuvendit 2020-2025, i cili do të përfshijë rritjen e rolit të Kuvendit në procesin e integrimin. Do të rrisim transparencën dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile. Objektiv tjetër do të jetë përfundimi i reformës zgjedhore pas konsensusit me opozitën parlamentare dhe atë joparlamentare për të garantuar një sistem funksional dhe të drejtë. Gjatë sesioni të ri do të përfundojë plotësimi i të gjitha organeve të sistemit të ri të drejtësisë dhe këto organe do fillojnë të japin drejtësi për qytetarë”, tha Ruçi.

Në mbledhjen e parë të këtij viti, deputetët zgjodhën edhe kryetarin e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Do të jetë Artur Metani, i cili do të drejtojë ILD-në pasi mori 98 vota pro.

Në axhendën e ditës së sotme u njoftuan projektligjet e depozituara në Kuvend, miratimi me mirëkuptim i programit të punës për periudhën 20 Janar deri më 7 Mars 2020 si dhe miratimi me mirëkuptim i kalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 3-javore, nga 20 Janari deri më 7 Shkurt 2020.

Në axhendë është edhe projektvendimi për zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Rinisja e Kuvendit i hap rrugë punës edhe në komisionet parlamentare. Në këtë sesion parlamentar pritet të diskutohen disa çështje të nxehta.

Paketa “Anti-KÇK” është nisma ligjore, për të cilën Rama në fund të Dhjetorit u shpreh se do ta kalojnë në Kuvend. Një tjetër paketë që pritet të kalojë është ajo antishpifje. Edhe pse Presidenti Meta i ka kthyer për rishqyrtim ligjet e kësaj pakete, mazhoranca ka deklaruar se do t’i rivotojë ato.

Një tjetër çështje e nxehtë e këtij sesioni parlamentar është edhe reforma zgjedhore, për të cilën mazhoranca, opozita parlamentare dhe jashtëparlamentare kanë rënë dakord të punojnë në një këshill jashtë Kuvendit. /tvklan.al