Deri në 1 Korrik numri i udhëtarëve mbetet i ulët

Prej ditës së sotme aeroporti i Rinasit ka rinisur fluturimet. Ne hyrje të aeroportit është vendosur një tunel dezinfektues si dhe po zbatohen të gjitha rregullat  dhe protokollet e shëndetësisë.

Numri i udhëtarëve është shumë i ulët, për shkak të kufizimeve Të vetmit që sheh janë udhëtarë që nisen drejt Italisë dhe Vjenës, por edhe të kthyer nga Stambolli dhe Kanadaja.

“Unë jam kthyer nga Stambolli. Ishin fluturime të rregullta “.

“Për në Itali. Sot direkt erdhëm këtu”.

“Po pres xhaxhain nga Kanadaja. Jeton në Kosovë”.

“Jam italian, po shkoj në Bari. Isha në Vlorë, u bllokova dhe tani po nisem për në Itali”.

“Po iki në Vjenë të Austrisë. Jetoj në Shkodër dhe tani po shkoj në vendlindjen time”.

Por jo të gjithë kanë pasur mundësi për të fluturuar në shtetet e huaja pasi jo të gjithë vendet kanë hapur kufijtë me Shqipërinë.

“Ne jemi nisur për në Milano. Do shkojmë për kurim se kam burrin sëmurë dhe unë jam shoqëruesja. Biletat i kam të prera dhe na kthyen  na thanë se duhet nga Ministria e Shëndetësisë. I kemi letrat për në spital dhe nuk na lejuan”.

Fluturimet e rregullta me fluks pasagjerësh dhe pa kufizime pritet të rinisin në datën 1 Korrik, sipas vendimit të dhënë nga Komisioni Evropian për të hequr kufizimet e udhëtimit me Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit nga kjo datë. 

Tv Klan