Fluturimet në aeroportin Heathrow kanë rifilluar ngadalë pas 18 orësh ndërprerje për shkak të një zjarri në një nënstacion elektrik dhe ndërprerjes së energjisë elektrike.

Disa fluturime rinisën mbrëmjen e së premtes, por mbyllja e aeroportit të pestë më të ngarkuar në botë shkaktoi kaos për mijëra pasagjerë.

Ata u bllokuan pranë aeroportit Heathrow teksa u përpoqën të gjenin mënyra për t’u ribashkuar me familjet e tyre. Çmimet në hotelet përreth Heathrow u rritën, me faqet e rezervimit që ofronin dhoma për 500 Paund, afërsisht pesë herë më shumë se nivelet normale të çmimeve.

Aeroporti duhej të kryente 1,351 fluturime të premten, por avionët u devijuan drejt aeroporteve të tjera në Britaninë e Madhe si dhe në të gjithë Evropën, ndërsa shumë fluturime me distanca të gjata u kthyen në pikën e tyre të nisjes. Sipas analistëve ndërprerja e udhëtimeve për shkak të zjarrit në nënstacionin elektrik shkaktoi një dëm të madh ekonomik me vlerë 100 milion Paund.

Shefi Ekzekutiv i Heathrow, Thomas Woldbye ka bërë të ditur se aeroporti do të jetë 100% funksional gjatë ditës së shtunë dhe në vijim. Nga ana tjetër, furnizuesi kombëtar i energjisë elektrike bëri të ditur energjia është rikthyer për të gjithë familjet.

“Na vjen shumë keq dhe po vazhdojmë të punojmë ngushtë me Qeverinë, Heathrow dhe policinë për të kuptuar shkakun e incidentit”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se nuk kanë gjetur prova të dyshimta nga aktorë keqdashës për zjarrvënie të qëllimshme në nënstacionin elektrik. Hetimi tanimë do të fokusohej në pajisjet e shpërndarjes elektrike në nënstacion.

Tv Klan