Nuk ka karantinë për ata që hyjnë në vend

Fluturimet drejt Britanisë së Madhe rinisin këtë të mërkurë, 3 muaj pas vendimit të pezullimit për shkak të variantit të ri të Covid-19. Avioni i parë me pasagjerë nga Tirana drejt Londrës është planifikuar të niset nga Rinasi në orën 18:50 minuta.

Sipas rregullave të bëra publike nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit udhëtarët duhet të kenë me vetë një tampon PCR të 72 orëve të fundit, si dhe të paraqiten 3 orë përpara udhëtimit, për shkak të listës së gjatë të kontrollit të dokumenteve nga kompanitë ajrore. Po ashtu ata duhet të kenë vërtetimin se e kanë kryer pagesën e 2 testeve Covid që do të realizohen në Angli përgjatë periudhës 10 ditore të karantinës.

Ndërkohë që për personat që vijnë nga Anglia drejt Shqipërisë, nuk ka asnjë detyrim për të qëndruar në karantinë.

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi në mbledhjen e datës 16 Janar të pezullonte për herë të dytë fluturimet me Mbretërinë e Bashkuar për shkak të rritjes së numrit të infektimeve me Covid-19. Ndërkohë që në muajin Mars u vërtetua prania e variantit britanik edhe në Shqipëri.

Tv Klan