“Miqësore” pa leje mes klubeve të Superligës

Luhet futboll edhe pse ende nuk lejohet zyrtarisht. Këto janë pamje nga ndeshjet miqësore që skuadra të Superligës dhe Kategorisë së Parë zhvilluan për të testuar formën e lojtarëve. Flamurtari zhgënjeu duke humbur 1-0 me Orikun.

Ndërsa Partizani fitoi 8-1 me Turbinën e Cërrikut. Stafi i të kuqve e ka quajtur këtë si ndeshje kontrolli, brenda seancës stërvitore. Skuadrat nuk kanë patur leje për të zhvilluar këto ndeshje miqësore por fakti është se ashtu siç aktivitetet e tjera po zhvillohen normalisht, edhe futbolli duhet të shkojë në rrjedhën e vetë natyrale.

Teuta mposhti me rezultatin 4-0 Erzenin, duke treguar një formë shumë të mirë. Tirana është përballur me Vorën me të cilën fitoi 3-2. Skënderbeu fitoi me Dinamon 4-1, Kukësi i shënoi 3 gola Sopotit të Librazhdit, ndërsa Laçi u mposht nga Besëlidhja me rezultatin 1-0. Miqësore kanë zhvilluar edhe Apolonia me Egnatian, e përfunduar 1-2 dhe Tërbuni-Korabi 3-4.

Me përgjigje ose jo nga autoritetet qeveritare, Superliga e bëri fakt të kryer.

Sipas planit, kampionati do të rinisë më 3 Qershor, ndërsa Kategoria e Parë dhe e Dytë më 7 Qershor. Të gjitha ndeshjet do  të luhen pa tifozë. Mbetet vetëm aprovimi i fundit i autoriteteve shtetërore të shëndetësisë për t’i dhënë fund sezonit në fushën e lojës.

Tv Klan