Në fund të 2020 u paguan 2 milionë $ për inceneratorët

Qeveria ka rinisur pagesat për kontratat koncesionare në fund të vitit 2020, pavarësisht marrëveshjeve të shtyrjes së tyre për shkak të situatës së pandemisë së Covid-19. Në aktin normativ 4 të buxhetit të shtetit, janë alokuar për projektet e mbetjeve urbane të 3 inceneratorëve Fier, Elbasan dhe Tiranë, 2 milionë dollarë shpenzime për të kryer urdhër-pagesat.

Pala e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë tha gjatë seancës në Komisionin e Ekonomisë, se shpenzimet rinisën që të mos kishte ngarkesë të lartë në buxhetin e vitit 2021.

“Meqenëse u gjet mundësia në buxhet që të bënim këto pagesa, i alokuam fondet në mënyrë që të mos ngarkohet shumë buxheti i këtij viti.”

Përveç projekteve të investimeve publike me financim të huaj, edhe nga fondi i rindërtimit nuk janë arritur të kryhen 20 milion dollarë punime, ndërsa ecurinë më të ulët e ka patur zëri për kompensimin e ish-pronarëve, ku është kthyer mbrapsht ¼  e totalit të këtij buxheti.

“Janë rreth 1.1 miliardë lekë që janë kthyer nga fondi i ish-pronarëve, ka patur ecuri të dobët për shkak të situatës së pandemisë.”

Në fund të vitit që shkoi Shqipëria mbylli një vit buxhetor me një borxh publik të rritur për shkak të situatës që krijoi pandemia si në kahun e shpenzimeve dhe në atë të reduktimit të të ardhurave nga taksat. Zyrtarisht sipas Ministrisë së Financave në 2020 borxhi arriti në 79.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Tv Klan