Negociatat që synojnë të ringjallin marrëveshjen bërthamore mes Iranit dhe fuqive botërore pritet të nisin shumë shpejt. Garancia erdhi nga Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Europian, Josep Borrell, i cili vizitoi Teheranin.

“Ne presim që të rinisim bisedimet në ditët në vijim dhe të thyejmë bllokadën. Kanë kaluar tre muaj dhe na duhet të shpejtojmë punën,” tha Borrell në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian në Teheran.

Duke e përshkruar takimin me Borrellin si “të gjatë, por pozitiv”, ministri Amir-Abdollahian, tha se Irani është i përgatitur për të rinisur bisedimet.

“E rëndësishme për Iranin që të marrë përfitimet ekonomike nga marrëveshja e vitit 2015”, ka thënë ai.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015, Irani është pajtuar për të kufizuar aktivitetin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve të vendosura nga Perëndimi. Marrëveshja nisi të mos zbatohet kur ish-presidenti amerikan, Donald Trump e largoi SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018.

Uashingtoni më pas ka vënë sanksione të ashpra ndaj Teheranit, ndërsa qeveria iraniane, e cila mohon se synon të ndërtojë bombën bërthamore, ka nisur t’iu shmanget përkushtimeve të bëra në marrëveshje.

Për më shumë se një vit, Irani është duke negociuar me Britaninë, Gjermaninë, Francën, Rusinë dhe Kinën, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me Shtetet e Bashkuara, në mënyrë indirekte, me qëllim të ringjalljes së marrëveshjes.

Klan News