Rinisja e transportit publik, qeveria në mbështetje të këtij sektorit

Më 15 Qershor do të rinisë transporti urban dhe ndërurban. Në një reagim në Facebook, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se në mbështetje të këtij sektori, qeveria do të njohë si shpenzim të zbritshëm 100% konsumin e naftës, si dhe nuk do të kenë tarifa vendore deri në fund të Dhjetorit të këtij viti.

Po ashtu, Rama ka njoftuar se nuk do të lejohet rritje e biletës për qytetarët, ndërsa nga 1 Janari do të nisë përdorimi i biletës elektronike.

“Të hënën 15 qershor rinis shërbimi i transportit urban dhe ndërurban, sipas protokollit të miratuar të sigurisë shëndetësore. Qeveria do ta mbështesë këtë sektor përmes: Njohjes si shpenzim të zbritshëm të 100% të konsumit të naftës zero taksa dhe po ashtu zero tarifa vendore deri në 31 dhjetor 2020. Brenda 2020 do të kryhet reforma e plotë ligjore/fiskale e sektorit dhe në 1 janar 2021 do të nisë zbatimi i saj me biletën elektronike si hap i parë. Ndalohet kategorikisht rritja e çmimit të biletës për qytetarët”, shkruan kreu i qeverisë. /tvklan.al