Ibrahimaj: Krijohet familjaritet, skema e re ka rritur zbulimin e shkeljeve

Tatimet kanë nisur një reformë të re brenda strukturës së tyre duke riorganizuar grupet e inspektorëve të terrenit. Në një intervistë për televizionin Klan, Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj, thotë se inspektorët nuk do të jenë më të njëjtët në zonat e tyre, por nga rajoni i Tiranës do të shkojnë në Shkodër, ata të Shkodrës në Vlorë dhe e njëjta skemë do të përdoret për të gjitha drejtoritë. Kjo skemë e re ka bërë që shkeljet e evidentuara të rriten në numër.

Në muajin Mars, të gjithë inspektorët do të pajisjen me GPS për të monitoruar vendndodhjen e tyre dhe kohën që qëndrojnë në biznese. Delina Ibrahimaj sqaron se pajisja do të instalohet edhe për ata që bëjnë kontrolle të thelluara.

Njëkohësisht me këto masa, janë lidhur marrëveshje me kompaninë e shpërndarjes së energjisë, Drejtorinë e Transportit Rrugor dhe Agjencinë e Kadastrës për të kuptuar madhësinë e biznesit dhe nëse ai fsheh të ardhurat e sakta duke u deklaruar si ndërmarrje e vogël.

Në fokus të kontrolleve do të jenë edhe deklarimi i pagave. Pas letrës së dërguar punonjësve, tatimorët do të dërgojnë një letër të dytë në rastin kur dyshohet se kanë pagë më të lartë se ajo që kanë deklaruar, më pas do të kontaktohen nga inspektorët për të shkuar më tej në kontroll të thelluar apo hetim tatimor. Ky është një aksion i ri që ka nisur në fillim të Janarit dhe do të vijojë gjatë gjithë vitit në të gjithë sektorët. Strategjia synon të rrisë të ardhurat në buxhet nga 15-25% më shumë.

Tv Klan