Lika: Presim rëndesë të rrjetit ditët në vijim, rrezik zonat e thella

Pjesa më e madhe e defekteve të shkaktuara në rrjetin e shpërndarjes së energjisë si pasojë e motit të keq është riparuar.

Administratori i kompanisë OSSH, e cila ka si funksion furnizimin me energji elektrike, thotë se situata më e vështirë për zgjidhjen e problemeve është në zonat rurale dhe ato me prani ngricash.

“Ka patur defekte, por janë zgjidhur më shpejt. Problemet më të mëdha në zonat malore për shkak të ngricave”.

37 mijë abonentë kanë mbetur pa energji elektrike në ditët e fundit, ndërsa defektet do të jenë prezente edhe gjatë ditëve që vijnë për shkak të uljes së temperaturave, sidomos në zonat e thella ku rrjeti është i amortizuar.

“Rëndesa e rrjetit krijon probleme në zonat e thella”.

Kërkesa për konsumin e energjisë do të përballohet, ndërsa kompania e furnizimit me energji ka vënë në gatishmëri grupet e punës për të riparuar problemet me rrjetin e energjitik. Prioritet në këto ditë ka mbetur furnizimi pa ndërprerje i hidrovoreve dhe spitaleve.

Tv Klan