Qeveria e gatshme për kërkesat e Ligës

Situata në futbollin shqiptar ka marrë një kthesë të papritur. Takimi i organizuar me shpejtësi një ditë më parë në Ministrinë e Financave mes përfaqësuesve të Ligës së Futbollit, ekspertëve të financave dhe të deleguarit të qeverisë Fidel Ylli, është konsideruar si tejet pozitiv nga komuniteti i futbollit.

Ndryshe nga retorika e përdorur më herët nga Ministrja Anila Denaj, apo edhe kreu i qeverisë Rama, në këtë takim është parë qartë gatishmëria e ekspertëve të Ministrisë dhe përfaqësuesve të qeverisë për të parë mundësinë e realizimit të kërkesave të Ligës.

Edhe pse pika më e rëndësishme është Ligji për Sponsorizimin, në takimin e djeshëm janë rishikuar të gjitha kërkesat. Televizioni Klan ka mësuar se nga ana e Ministrisë së Financave janë kërkuar detaje si përfaqësuesit e futbolli mendojnë zgjidhjen e kërkesave të tyre. Të gjitha pikat mendohet se mund të realizohen, ndoshta jo plotësisht, por çdo gjë ka vend për t’u diskutuar dhe negociuar.

Këtë fundjavë do të duhet të luheshin ndeshjet e javës së 6 të kampionatit, me ndeshjen kryesore derbin e kryeqytetit Tirana-Partizani. Takimi i së enjtes mbrëma në Ministrinë e Financave ishte hapi më i rëndësishëm që prej nisjes së bojkotit të sezoni të ri futbollistik.

Ndërsa javën e ardhshme palët do të ulen sërish në takim për të marrë propozimet e qeverisë për kërkesat. Pritet këtë të hënë të ketë diskutime edhe mbi nisjen ose jo të kampionatit të ri të futbollit.

Tv Klan