Nishani, Kadilli dhe Shehaj kaluan automatikisht

Delegatët e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike nuk i kanë dhënë mundësinë Edit Harxhit dhe Arben Ristanit të jenë mes 300 emrave që do të përbëjnë Këshillin kombëtar të kësaj force.

2 kundërshtarët e kryedemokratit Lulzim Basha nuk janë votuar për t’u rizgjedhur në këtë forum drejtues të selisë blu që do të ketë një mandat 4-vjeçar.

Harxhi që kandidoi përballë Bashës për postin e kryetarit të partisë në zgjedhjet e 13 Qershorit dhe Ristani, ishin të vetmit nga kritikët e Lulzim Bashës që kandiduan.

Ndërsa ish-Presidenti Bujar Nishani dhe 2 rivalet e tjerë në garën për kryetar Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli u bënë pjesë e Këshillit Kombëtar si persona ‘ex officio’ ku përfshihen anëtarët e Kryesisë, deputetët, por edhe ish-kryeministrat dhe ish-Presidentët.

Për herë të parë në strukturat e PD-së hyn Glauk Olldashi, djali i ish-ministrit të ndjerë Sokol Olldashi.

Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, Lulzim Basha i sapozgjedhur për herë të 3 si kryetar i Partisë Demokratike në fjalën e tij u përqendrua tek zgjedhjet e 25 Prillit që ai e cilëson si masakër elektorale ndaj rezultatin e këtij procesi Partia Demokratike nuk do ta njohë.

Në punimet e këtij Kuvendi me unanimitet u miratuan edhe ndryshimet statutore të bëra nga Lulzim Basha e që u kundërshtuan nga kritikët e tij.

Pas daljes se rezultatit, kreu i PD u shpreh se Këshilli i ri, do të jetë një urë bashkëpunimi me shoqërinë, për të ndërtuar së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë.

Tv Klan