Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora do të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar për herë të parë pas 9 muajve për të filmuar “The Masked Singer”, pasi u largua mes zemërimit të thyerjes së rregullave të Covid.

30-vjecarja u largua nga Britania në Janar dhe që atëherë është transferuar në Los Angeles me partnerin e saj Taika Waititi.

Por, do të rikthehet për xhirime 2- javore në Tetor, pas kritikave që mori duke festuar ditëlindjen e saj në momentin e mbylljes kombëtare si pasojë e pandemisë Covid 19.

Sipas burimeve për “The Sun”, Rita ka qenë e vendosur të rikthehet në show. “Ajo e do këtë show dhe pavarësisht që ka nisur një jetë të re në LA, ajo ishte e vendosur të merrte pjesë. Ajo ka qenë jashtë Britanisë gjatë 2021 dhe nuk do të rikthehet për shumë. Gjithashtu, do të zbatohen rregulla strikte në setin e xhirimit, por gjithsesi ajo shpreson të shohë familjen dhe miqtë e saj. Është shumë e rëndësishmë për të”, shkruan media britanike.  

Ndërkohë Rita do të jetë sërish pjesë e “The Voice of Australia” pasi pjesëmarrja e saj vitin e kaluar rriti numrin e shikueshmërisë.

Sipas “New Idea”, artistes i është ofruar një shumë 1 milion Dollarë për një sezon, që përbën një shifër të mirë, kur nuk mund të fitohen shumë para nga turnetë për shkak të Covid. Panelistët e tjerë përfshijnë Keith Urban, Jessica Mauboy dhe Guy Sebastian./tvklan.al