Nis në Janar dhe përfundon më 30 Gusht të 2020

Në Kuvend është depozituar me shpejtësi një projektligj për rivlerësimin e pasurive të patundshme. Propozimi është bërë nga kreu i komisionit të Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj, në konsultim edhe me Ministrinë e Financave.

Burime për televizionin Klan bëjnë me dije se akti pritet të diskutohet dhe miratohet nga parlamenti në seancën plenare të 19 Dhjetorit në mënyrë që të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm.

Ligji i jep mundësi të gjithë individëve dhe sipërmarrësve që të bëjnë rivlerësimin e banesave në bazë të vlerës së tregut ose të çmimit të hartës fiskale që disponon Agjencia e Kadastrës, kundrejt pagesës së tatimit mbi fitimin vetëm 3%, nga 15% që është në ligj.

Në momentin që një shtëpi e blerë 20 vjet më parë ka kushtuar 10 mijë euro, dhe sot vlen 60 mijë, me ligjin aktual duhet të paguhet 15% e 50 mijë eurove, një vlerë prej 7500 eurosh, ndërsa me tatimin 3% paguhet 1.5 mijë euro , dhe nëse banesa shitet në të ardhmen nuk rëndon tatim-fitimi.

Nisma pritet të gjenerojë 40 milionë dollarë të ardhura shtesë për buxhetin e shtetit, ndërsa në bazë të vlerësimeve të qeverisë do të jenë 50 mijë pasuri të cilat do të përfitojnë nga ulja e tatimit mbi fitimin.

Periudha e rivlerësimit do të nisë nga hyrja në fuqi e ligjit deri më 30 Gusht të 2020-s.

Tv Klan