RMV, 17.8 milionë Euro për paketën e gjashtë anti-krizë



RMV, 17.8 milionë Euro për paketën e gjashtë anti-krizë

12:04 12/05/2021

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, njoftoi se janë publikuar shtatë thirrje publike për mbështetje të kompanive nga sektorët më të goditur. Për këtë destinim do të harxhohen 17.8 milionë Euro, kurse do të shpërndahen në 10.000 kompani me 60.000 të punësuar. Thirrje publike, siç përcjell Klan Macedonia, ka edhe për artistët e estradës dhe udhëheqësit turistik, që kanë realizuar të ardhura deri në 15.000 denarë, kurse do të përfitojnë nga 30.750 denarë për person.

Thirrje ka edhe për organizatorët e ngjarjeve, pushimoret e fëmijëve, hotelierët e licencuar, kabaretë, baret e natës, diskotekat, restorantet e regjistruara për dasma dhe për agjenci të licencuar turistike. Ministri Bekteshi, siç përcjell Klan Macedonia, ka theksuar se për të gjithë, bazë e llogarisë së mbështetjes janë të ardhurat mesatare mujore në vitin 2019. Lartësia do të llogaritet si shumë nga 30% e të ardhurave mujore dhe 15.200 denarë për një të punësuar.

Tek Agjencitë Turistike shuma që do të llogaritet si mbështetje do të bëhet në bazë të të ardhurave të përgjithshme, numrit të të punësuarve dhe lloji I licencës nga 60.000 denarë deri në 300.000 denarë.

“Kushtet për kthimin e parave janë që të mos kenë ulje të numrit të të punësuarve. Ata të cilët deri më 31 Dhjetor do ta zvogëlojnë numrin e të punësuarve do të kthejnë 50% të grantit. Nëse e kanë mbajtur numrin e të punësuarve, do të kthejnë 20% të grantit, kurse nëse e kanë rritur nuk do të kthejnë asgjë”, ka theksuar Ministri Bekteshi.

Thirrjet publike do të realizohen përmes Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë. Sekretari i Përgjithshëm, Muhamed Zekiri ka theksuar se procesi do të jetë transparent, duke iu bë thirrje të gjithë punëdhënësve të aplikojnë për mbështetje.

Klan Macedonia







Të ngjashme