Në javët e ardhshme mbërrijnë 500 mijë doza nga Sinovac

40 përqind nga popullata mbi moshën 70 vjeçare tashmë janë vaksinuar. Kështu flasin të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe sipas ministrit Venko Filipçe, kjo kategori e qytetarëve vazhdon të mbetet në listën e prioriteteve për vaksinim. Megjithatë në komunat më të vogla ku nuk ka të paraqitur asnjë i moshuar, nuk përjashtohet mundësia që të vaksinohen edhe persona më të rinj. Filipçe e përjashtoi mundësinë për ndonjë keqpërdorim të mundshëm për terminet për vaksinim në nivel lokal, në kushte kur ndodhemi përpara zgjedhjeve lokale.

“Nuk kam absolutisht asnjë informacion se ka keqpërdorim të sistemit, thjesht në mënyrë automatike gjenerohen terminet, në pajtim me kohën e paraqitjes dhe moshës, edhe njëherë do të them mekanizmi i vetëm që të vaksinohet ndonjë person më i ri në ndonjë pikë vaksinimi në ndonjë komunë është që të mos ketë të paraqitur asnjë më të moshuar. Nëse paraqitet në mënyrë shtesë do të merr prioritet dhe kështu do të jetë tani në të gjitha qytetet. E kemi parasysh se si është presioni në Shkup kundrejt komunave të tjera”, tha Filipçe.

Në listën e prioriteteve për vaksinim ndodhen edhe personat me sëmundje të rënda kronike, të cilët pavarësisht moshës që kanë, do të përfundojnë me vaksinimin deri ditën e martë të javës së ardhshme.

“Tashmë është bërë një listë me rreth 2000 njerëz, sot fillon ndërsa të hënën ose të martën përfundon vaksinimi i pacientëve që kanë transplantime dhe janë në dializë dhe ky është grupi i parë prioritar i pacientëve që kanë njëfarë forme të sëmundjeve kronike pas asaj do të vijojnë të gjithë pacientët që kanë formë më të rëndë të ndonjë sëmundje kronike”.

Këto komente Filipçe i bëri gjatë dorëzim-pranimit të 100.000 vaksinave të cilat arritën si donacion nga Ministria e Mbrojtjes së Kinës. Dërgesa e vaksinave ishte dakorduar në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së RMV-së dhe Kinës, Sheqerinska dhe Gjenerali Vei Fenghe gjatë vizitës së tij në Shkup.

Në fund të muajit të kaluar në RMV arritën 200.000 doza të vaksinës kineze “Sinofarm” që Qeveria i kishte marrë nga prodhuesi, kurse janë paralajmëruar edhe 500.000 doza të vaksinës “Sinovac”.

Kujtojmë se mbrëmë kanë arritur 38.400 vaksina nga prodhuesi AstraZeneca që janë siguruar përmes mekanizmit Covax.

Klan Macedonia