RMV në situatë të jashtëzakonshme edhe për 30 ditë



RMV në situatë të jashtëzakonshme edhe për 30 ditë

23:50 16/04/2020

107 raste të reja, 1081 numri total i të prekurve

Maqedonia e Veriut do të jetë edhe për 30 ditët e ardhshme në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të situatës me COVID-19. Kështu ka vendosur Këshilli për Siguri Kombëtare i thirrur nga Presidenti Pendarovski.

“Në situatë kur deputetët marrin paga, pas përfundimit të mandatit, do të thotë se ata ende janë me mandat valid, ndërsa Kuvendi nuk punon, unë e marr përgjegjësinë për vendimin e këtillë, sepse kemi situatë pa precedent, kur është shumë më e rëndësishme t’i ruajmë jetët dhe shëndetin e njerëzve, se sa të fshihemi pas interpretimeve juridike.”

Në mbledhjen e Këshillit për Siguri Kombëtare nuk kanë marrë pjesë Kryeministri Oliver Spasovski, si dhe tre ministra të kabinetit të tij. Mes tyre edhe Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe Zv/Kryeministri Bujar Osmani. Ata, me vendim të qeverisë janë vetëizoluar, pasi dje kishin qenë në një takim në Kumanovë së bashku me Kryebashkiakun Maksim Dimitrievski, i cili gjatë ditës së sotme ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Ndërkohë Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me shifra të larta të të infektuarve. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 107 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të prekurve në 1081. Shënohet edhe viktima e 46. Bëhet fjalë për një pacient 50-vjeçar nga Struga që kishte qenë i shtruar në Klinikën Infektive në Shkup.

Tv Klan



Të ngjashme