Përplasje për gjuhën e urrejtjes ndaj Bullgarisë

Duke e vlerësuar si skandaloze deklaratën e Ministres së Kulturës, opozitarja VMRO-DPMNE thotë se partia në pushtet LSDM, duke i pranuar kushtet e Bullgarisë për negociata me BE-në, imponon “cenzurë Orëelliane” në artin në vend.

Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE: Ministrja qartë dhe zëshëm e ka konfirmuar frikën në shoqërinë maqedonase, se marrëveshjet e kësaj Qeverie, që i bën me Bullgarinë, shpijnë drejt asimilimit dhe censurës së heshtur të krijimtarisë maqedonase, pasurisë sonë më të madhe. Ajo mes rreshtash tregoi se çfarë përmban dhe çfarë parashikon Protokolli që e kanë miratuar Qeveria e LSDM-së dhe ajo e Bullgarisë. Çdo vepër që do të ketë përmbajtje që sipas palës bullgare vlerësohet si gjuhë e urrejtjes, nuk do të mbështetet me mjete të shtetit.

Ministrja e Kulturës, në deklaratë për Zërin e Amerikës, gjatë ditës së djeshme, në mes tjerash theksoi se në marrëdhëniet me Bullgarinë “duhet të ecet përpara, historia nuk duhet të jetë burgu ynë.”

Bisera Kostadinovska Stojçevska, Ministre e Kulturës: Lirisht le të krijojnë, por të krijohet në frymën e asaj që do ta kënaqë popullin dhe publikun, jo diçka që popullin do ta kthejë pas në ato kohë të zymta kur nuk kemi parë asgjë të mirë.

Pas reagimeve të ashpra, posaçërisht nga ana e artistëve, me gjykimin se pikërisht këto fjalë do të thonë “kontroll i mendimit dhe autorësisë”, Kostadinovska – Stojçevska sot e sqaroi sërish qëndrimin e saj.

Bisera Kostadinovska Stojçevska, Ministre e Kulturës: Në qoftë se deklarata, që sot është cak i interpretimeve “të lira”, ka lënduar ndjenja, nxitje, motive dhe përpjekje për të krijuar, më vjen keq. Qëllimi absolutisht nuk është që orientojë ose të kufizojë, përkundrazi, qëllimi im gjithmonë ka qenë dhe do të jetë mbështetja e mendimit dhe shprehjes së lirë.

Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja vazhdon të kritikohet ashpër edhe për pranimin e të ashtuquajturit propozim francez për kornizën negociuese në mes Shkupit dhe Brukselit, në të cilin janë përfshirë një sërë kushte bullgare, në mes tjerash edhe ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut për përfshirjen e Bullgarëve si popull kushtetues, por edhe ndryshimin e librave dhe pikave të tjera të referimit sipas leximit bullgar të historisë rajonale.

Klan Macedonia