LSDM e mbështet kërkesën, BDI kërkon prag prej 5%

Partitë e vogla parlamentare kanë përsëritur kërkesën e tyre për vendosjen e modelit zgjedhor me një njësi. Ata kërkojnë që në pakon e reformave zgjedhore, të hyjë edhe iniciativa për një njësi zgjedhore, që e kanë dorëzuar në Kuvend dy vite më parë.

“Me vendosjen e një njësie zgjedhore, si dhe heqjen e përparësive sistematike të katër partive në lidhje me financimin e fushatës zgjedhore, hapësirës mediatike për prezantim politike dhe financimin shtetëror të instituteve partiake, do të krijohen kushte të barabarta për garë politike”.

LSDM mbështet partitë e vogla në propozimin e tyre për një njësi zgjedhore.

“Është e rëndësishme të diskutohet dhe bashkërisht si parti politike të propozojmë Kodin Zgjedhor dhe ta votojmë këtu në Kuvend”.

Megjithatë, BDI insiston që, nëse flitet për modelin zgjedhor, atëherë të ketë edhe lista të hapura dhe prag prej 5%.

“Në mënyrë që ajo zgjidhje ligjore të jetë në funksion të stabilitetit politik dhe mos të ketë destabilitet politik, sepse ajo nuk shkon në favor të askujt”.

Propozim-ndryshimet për Kodin Zgjedhor janë në procedurë parlamentare tash më dy vite. Propozim ligji është dorëzuar në Kuvend më 5 Mars të vitit 2021. Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka formuar grup të punës për reforma zgjedhore, e cila duhet të merret me rekomandimet e OSBS/ODIHR.

Klan Macedonia