Shënohet rekord injektimesh brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se prej të hënës, qytetarët që për shkaqe shëndetësore nuk mund të pranojnë vaksinën në pikat e vaksinimit, do të mund të vaksinohen në kushte shtëpiake.

Nga dita e hënë në Maqedoninë e Veriut do të fillojë vaksinimi i qytetarëve nëpër shtëpitë e tyre. Vaksinimi në shtëpi do të bëhet tek personat të cilët për shkaqe shëndetësore nuk mund të pranojnë vaksinën në pikat e vaksinimit.

Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se caktimi i terminit për vaksinimi do të bëhet duke u paraqitur në shtëpitë e shëndetit, kurse të njëjtën do të mund ta bëjnë edhe drejtpërdrejtë në pikat e vaksinimit.

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në rrjetin social Facebook njoftoi se gjatë ditës së djeshme  janë aplikuar numër rekord i vaksinimeve.

“Dëshira e qytetarëve për t’u vaksinuar inkurajon shumë. Që t’i kthehemi përditshmërisë të cilën të gjithë e duam, duhet imunitet kolektiv, kurse ajo do të thotë që sa më shumë qytetarë të vaksinohen”.

Autoritetet e shëndetësisë njoftojnë se gjatë ditës së djeshme janë vaksinuar  17.085 qytetarë. Ndërkaq, në nivel vendi nga fillimi i procesit të imunizimit janë vaksinuar 818295 qytetarë.

Klan Macedonia