Ferdinant Llanaj 43 vjeç, i njohur edhe me pseudonimin Robi, është vëllai i autorit të masakrës së Vlorës në vitin 2015, ku u vranë 3 persona.

Llanaj u arrestua nga policia së bashku me dy persona të tjerë ditën e djeshme, pasi në zonën e Otimës në Selenicë të Vlorës kishin kultivuar 600 bimë narkotike kanabis sativa.

Gjatë aksionit për arrestimin e këtij grupi, Ferdinant Llanaj tentoi t’i fshihej policisë duke u fshehur në disa shkurre. Por u zbulua nga droni i uniformave blu.

Por kush është Ferdinant Llanaj? 43-vjeçari i ka shpëtuar mrekullisht një atentati në vitin 2017, ku mbeti i plagosur. Ai ishte së bashku me djalin e tij të mitur dhe një person tjetër në rrugën Transballkanike në Vlorë kur u qëllua me breshëri arme.

Nga të shtënat u plagos lehtë edhe djali i mitur i Llanajt. Vetë ky i fundit u plagos gjithashtu, por dhe iu kundërpërgjigj me armë atentatorëve. Pas ngjarjes, Llanaj u arrestua nga policia për armëmbajtje pa leje. Ngjarja 4 vite më parë dyshohet se ndodhi si pasojë e zinxhirit të hakmarrjeve.

Në vitin 2015 u shënua ajo që konsiderohet si masakra e Çoles në Vlorë. Vëllai i Ferdinant Llanajt, Aleksandër Llanaj dhe miqtë e tij vranë 3 persona në një lokal në lagjen Çole.

Gjithashtu, familja Llanaj dhe një fis tjetër në Vlorë kanë pasur një histori të vjetër hakmarrjesh, që daton prej vitit 1998.  /tvklan.al