Disa kategori rrezikojnë të humbasin vendet e punës

Distancimi social dhe pamundësia për të shkuar në punë për shkak të masave të ashpra për frenimin e përhapjes së COVID-19ës ka bërë që shumë kompani t’i zëvendësojnë punonjësit me robotë.

Biznese të mëdha e të vogla, kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe në shumë vende te tjera të zhvilluara të Bashkimit Europian kanë nisur të zëvendësojnë sanitaret me robotë që kryejnë procese automatike për të larë dyshemetë e ambienteve të mëdha të prodhimit.

Punëtorët e këtyre bizneseve punojnë me turne të reduktuara për të ulur praninë e tyre në ambientet e punës për të mundësuar ruajtjen e distancës sociale prej mbi 1.5 metrash.

Mes kompanive që po përdorin robotët është rrjeti i gjerë i supermarketeve Uollmart.

Në Korenë e Jugut, robotët shfrytëzohen për matjen e temperaturës për identifikuar personat me simptoma të koronavirusit dhe për të shpërndarë desinfektantë për duart në ambiente të ndryshme.

Punonjësit janë zëvendësuar nga robotët edhe në kategori të ndryshme restorantesh, si Fastfood e famshëm MekDonalds, si dhe nëpër farmaci.

Në magazinat e tregut online Amazon përdoren robotë për të përzgjedhur e transportuar mallrat nëpër ambiente të brendshme.

Ndërsa Google dhe Facebook, po përdorin gjithmonë e më shumë inteligjencën artificiale për të përzgjedhur dhe fshirë postime të ndryshme.

Këshilltarët financiarë e trajnerët e palestrave po ashtu rrezikojnë të humbin vendet e tyre të punës duke u zëvendësuar nga robotët.

Ekspertët e futuristikës, shkencës që studion zhvillimet e të ardhmes, thonë se masat bllokuese ndaj koronavirusit po i përshpejtojnë ritmet e zëvendësimit të punëtorëve me robotë me ritme qe nuk ishin parashikuar.

Kjo favorizon bizneset të ulin maksimalisht kostot dhe të shohin mënyra të reja zhvillimi, por mund të shkaktojë edhe drama sociale pasi miliona punëtorë do të humbin një herë e përgjithmonë vendet e punës dhe pagesën mujore që mundëson jetesën e nevojshme.

Tv Klan