Po zëvendësojnë njerëzit në shumë funksione në mesin e pandemisë

Pandemia e koronavirusit po ndikon në shtimin e përdorimit të robotëve për kryerjen e shumë detyrave, që njerëzit nuk i bëjnë dot pasi rrezikohen nga infektimi.

Ky robot ka për detyrë të mbikëqyrë respektimin e distancës sociale në një park të Singaporit. Roboti në madhësinë e një qeni është i pajisur me kamera e sensorë dhe u shkon pranë të gjithë njerëzve që afrohen me njëri-tjetrin, duke shkelur distancën e sigurisë dhe u bën thirrje të largohen. Bëhet fjalë për një projekt që është në faza eksperimentale.

Singapori është pararojë në gjithë botën për përdorimin e robotëve në kushtet e emergjencës së Covid-19. Sistemet robotike janë përdorur edhe për të këshilluar personat që bënin vrap nëpër parqe në periudhën e pandemisë, të qëndronin në shtëpi.

Në shumë vende të botës megjithatë, robotët janë përdorur në spitale si në Britani të Madhe e Shtetet e Bashkuara për t’u ardhur në ndihmë pacientëve me Covid-19, duke plotësuar boshllëqet e mbetura në shërbimin spitalor nga mungesa e stafit si pasojë e dyndjeve.

Shqetësim në këtë situatë, për ekspertët është se robotët mund të zëvendësojnë në mënyrë të përhershme njeriun në shumë funksione dhe kjo mund të çojë në shtimin e papunësisë dhe reduktimin e mirëqenies, teksa robotët po konkurrojnë shumë mirë me njerëzit në tregun e punës.

Tv Klan