Aborti në SHBA është kthyer sërish në kryefjalën e ditës, njësoj si 50 vite më parë. Protestuesit vazhdojnë të diskutojnë vendimin e Gjykatës Supreme për Roe v. Wade, dosja kushtetuese, e cila është kodifikuar kështu dhe la në fuqi të drejtën e abortit, sot është rrëzuar. Por pse quhet kështu, si nisi dhe çfarë përfaqëson ekzaktësisht Roe v. Wade dhe gruaja pas saj, Norma McCorvey, e njohur më mirë me pseudonimin Jane Roe.

Në Shtator 1969, 21-vjeçarja McCorvey mbeti shtatzënë për herë të tretë. Me një fëmijëri të vështirë nga pas, braktisi shkollën në  klasë të nëntë dhe e dërguar në një shkollë riedukimi pasi një punonjëse hoteli e pa duke u puthur me një vajzë tjetër. McCorvey pati marrëdhënie si me meshkuj dhe me femra, por vetëidentifikohej si lesbike.

Ajo u martua për herë të parë në moshën 16-vjeçare, por u divorcua kur bashkëshorti i saj nisi ta dhunonte fizikisht. Në 1965, lindi një vajzë dhe kishte varësi nga droga e alkooli, ndaj i kaloi kujdestarinë nënës së saj. Në 1967, lindi një tjetër fëmijë që e dha për birësim.

Gjatë shtatzënisë së tretë, McCorvey shpresonte të kryente një abort. Por ligjet në Teksas ishin tejet të ashpra dhe e lejonin vetëm në rast se fetusi kërcënonte seriozisht jetën e nënës. Duke mos pasur mundësinë të udhëtonte në një shtet që e lejonte dhe as të paguante për një abort të paligjshëm, ajo u lidh me dy avokate nga Dallasi, Sarah Weddington dhe  Linda Coffee.

Të dyja avokatet ishin në kërkim të pretekstit perfekt për të kundërshtuar ligjet e Teksasit. Në 1970, kur McCorvey ishte 5 muajshe shtatzënë, firmosi një deklaratë, për të cilën më vonë tha se nuk e lexoi kurrë.  “Ajo donte thjesht një abort të shpejtë, pa pasur asnjë ide se do kthehej në diçka kaq të madhe”, shkroi “New York Post” asokohe.

Avokatet e dërguan çështjen në gjykatën e Dallasit, që u njoh edhe si Roe v. Wade. Padia e anonimizonte McCorvey duke e quajtur “Jane Roe” ndërsa Wade u vendos për Henry Wade, avokati i distriktit i cili mbronte ligjin vendas. Gjykata e distriktit vendosi në favor të avokateve se ligji ishte jo-kushtetues dhe dëmtonte privatësinë e grave, por nuk pranoi kërkesën e tyre për heqjen e ligjit kundër abortit, ndaj ato e apeluan vendimin në Gjykatën Supreme.

Pas një lufte ligjore, më 22 Janar 1973 aborti u legalizua në të gjithë SHBA-në pasi fitoi me shumicë votash në juri, 7-2. Në kohën kur gjykata vendosi në favor të Roe, shtatzënia e McCorvey kishte mbaruar. Në pamundësi të abortit,ajo lindi një vajzë më 2 Qershor 1970, të cilën e dha për birësim.

Për vite të tëra, McCorvey, e cila pati përfshirje të kufizuar në çështje, e mbajti sekret identitetin e saj si “Jane Roe”, madje edhe nga partneri i saj, Connie Gonzalez. “Roe v. Wade ishte një çlirim për gratë në përgjithësi, por e parëndësishme për znj. McCorvey në veçanti”, shkroi më vonë “Washington Post” në nekrologjinë e saj.

Ajo më tha për vendimin e Gjykatës Supreme”. Dhe unë i thashë “kjo është fantastike”.”Por ti je katolik”, më tha ajo. “Edhe çfarë? Një grua ka të drejtë të zgjedhë”. “Epo, unë jam Jane Roe”, u përgjigj ajo. “Posi, dhe unë jam Papa”, rrëfeu Gonzalez bisedën me McCorvey ditën e shpalljes së vendimit.

Në vitet 1980, McCorvey nisi ta publikonte historinë e saj dhe mbronte të drejtën e zgjedhjes. Por më 1995, ajo bëri një kthesë të papritur, duke e quajtur veten një “të krishterë të rilindur” dhe një kundërshtare të abortit. Pak para vdekjes së saj në 2017, e ndryshoi sërish historinë duke e mbështetur abortin, madje në një intervistë për dokumentarin “AKA Jane Roe”, tha:

Unë mora para nga avokatë kundër abortit, që më vendosnin para kamerës dhe më përcaktonin çfarë do të thosha”. Kur regjisori i dokumentarit e pyeti “nëse ishte e gjitha një shtirje”, ajo u përgjigj “po, isha e mirë edhe me të”.

Unë nuk isha personi i gabuar për t’u bërë Jane Roe. Nuk isha personi i duhur për t’u bërë Jane Roe. Isha thjesht personi që u bë Jane Roe, i Roe v. Wade. Dhe historia ime e jetës, me gjithçka, ishte një pjesë e vogël e historisë”, shkroi Norma McCorvey në autobiografinë e saj, “I am Roe”./tvklan.al