Një valë shkarkimesh ka përfshirë krerët kryesorë të institucioneve më të rëndësishme të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Mësohet se me propozim të ministres Anila Denaj, Kryeministri ka miratuar largimin nga detyra të Drejtores së Përgjithshme të Tatimeve, Vasilika Vjeros, e në vend të saj do të jetë Enton Duro, i cili deri më sot ka mbajtur postin e drejtorit të Administrimit të Taksës së Pronës.

Rokada ka përfshirë edhe administratën doganore. Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Belinda Ikonomi, tashmë do të jetë zëvendës ministre e Financave dhe Ekonomisë. Postin e saj do të mbajë Arlind Gjokuta, i cili shërbeu për dy vjet si drejtor i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave të Pista.

Furtuna e ndryshimeve të drejtuesve të dikastereve kryesore të Ministrisë së Financave u bë pas analizës së shifrave të realizimit të të ardhurave në buxhetin e shtetit për dy muajt e parë të vitit.

Të ardhurat në buxhetin e shtetit nga Tatimet e Doganat rezultuan 2.6 milionë dollarë më pak se një vit më parë. Vetëm mosrealizimi i mbledhjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar ishte -3.6 milionë dollarë, ndërsa edhe akcizat ranë me 1.1 milionë dollarë krahasuar me Janar-Shkurtin të 2018-s. Dy tatimet e vetme që kanë shënuar rritje, janë Tatimi mbi Fitimin dhe taksimi i të ardhurave personale.

Tv Klan