Mediat turke, ruante drogën e grupit të Esas që u shpartallua në Turqi në vitin 1998

Fatmir Sofia që mbeti mëngjesin e kësaj të enjteje i vrarë, ishte pjesë e grupit të shkatërruar gjatë operacionit “Esas” në Turqi më 2 shtator të vitit 1998.

Bashkë me të u arrestuan edhe futbollisti Ismail Çira, Hekuran Hoxha dhe shtetasit turq Abdulselam Turgut, Musa Kazim dhe Xhevdet Shahin Ballxhëllar.

Gjatë operacionit u sekuestruan 30.5 kg heroinë. Lënda narkotike u kap teksa anëtarët e grupit e transportonion për në Bursa. Sipas prokurorisë turke, heroina ishte fshehur tek shtëpia e Fatmir Sofisë në qytetin e Gaziantep ndërsa ishte planifikuar që të kishte destinacion Shqipërinë.

Dorëzimi i lëndës narkotike nga shtetasit turq te shqiptarët sipas prokurorisë ishte planifikuar që të bëhej në Stamboll. Më pas personat kishin bërë marrëveshje për ta transportuar drogën me kamionë të ngarkuar me patate dhe heroina do të fshihej mes tyre.

Por plani dështoi me arrestimin e futbollistit Çira dhe personave të tjerë në Bursa. Person tjetër i njohur për drejtësinë shqiptare është edhe Abdulselam Turgut i cili aktualisht ndodhet në burg në Turqi për trafik droge.

Ndërsa sipas policisë shqiptare Turgut ishte një nga personat e përfshirë në një sulm terrorist që një celulë iraniane planifikoi në mars të vitit 2018 në festën e sulltan Nevruzit. Në lidhje me këtë rast u vunë në pranga dy iranianë ndërsa të në total ishin të përfshirë 12 persona.

Ndërkohë ai është arrestuar edhe më parë në vendin tonë në vitin 2011. Ai u prangos në Rinas pasi emri i tij rezultonte në listën e Interpol.

Turgut kërkohej nga autoritetet gjermane që në vitin 2009 për trafikimin e një ton drogë. Në 10 shkurt të vitit 2011 gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë por pak ditë më pas në 4 mars të atij viti, apeli ndryshoi masën duke vendosur për turkun arrest shtëpie në një apartament të papërcaktuar në Kamëz. Por Turgut u arratis pa lënë gjurmë.

Edhe anëtari tjetër Hekuran Hoxha është arrestuar në vitin 2018 si pjesë e gurpit të Shijakut gjatë operacionit “Volvo 4”.

Klan News