Biznesmeni turk Adnan Polat ka paditur biznesmenin shqiptar Sinan Idrizi për mashtrim me vlerën e 3.5 milionë Dollarëve. Lajmi u bë i njohur nga mediat turke, për të cilat Polat kishte lëshuar një deklaratë në lidhje me këtë çështje.

Ndërkohë, mbrëmjen e kësaj të enjteje në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Sinan Idrizi, i cili është president i ekipit të futbollit Flamurtari, ka sqaruar detaje të reja rreth padisë.

Ai tha se çështja do të gjykohet në Gjykatën Administrative të Stambollit. Idrizi shtoi se do të çojë një padi në Gjykatën e Tiranës për dëmshpërblim për prishje imazhi.

Idrizi ka sqaruar edhe rolin e kryeministrit Rama në këtë çështje. Duke cituar deklaratën e Polatit, Idrizi tha se biznesmeni turk ka marrë aprovimin për investimet në Shqipëri me kusht pasi të ketë deklaruar kapacitet financiare të kompanisë.

Por i pyetur nga gazetari Spartak Koka nëse mban pasaportë turke, Idrizi tha se “Nuk më kujtohet sa pasaporta kam, di që jam shqiptar”.

Spartak Koka: Çështja gjyqësore dhe penale, ku po zhvillohet, në cilin qytet të Turqisë? A ka një veprimtari ligjore penale apo civile, e cila zhvillohet paralelisht edhe në vendin tonë?

Sinan Idrizi: Që të jemi më korrektë deklarata e zotit Polat që ishte atribuuar sot shtypit turk nuk është ajo që ka thënë ai, gjë që ma ka thënë zoti Polat sot.

Spartak Koka: CNN turk. Ne po i referohemi CNN turk.

Sinan Idrizi: Kur thotë te pjesa e aprovimit të zotit Rama thotë se ka marrë aprovimin për investimet në Shqipëri me kusht pasi të ketë deklaruar kapacitetet financiare ai dhe çdo lloj kompanie tjetër për investimet në Shqipëri. Pra pa vendosur peng kompani shqiptare dhe pastaj duke u rifinancuar nga tregje shqiptare. Kjo është për sqarim. Pjesa tjetër se ku do ndodhë kjo është në gjykatën e Stambollit. Unë kam personalisht vetëm një kontratë me zotin Polat. Kushtet e kontratës se cila palë nuk i ka zbatuar do të mbajë përgjegjësi është Gjykata Administrative e Stambollit.

Spartak Koka: Pra është penale apo civile çështja nga ana juaj dhe nga ana e Zotit Polat është penale apo civile?

Sinan Idrizi: Është në Gjykatën Administrative të Stambollit si çështje. Pra nga ana ime përveç kësaj kam bërë një padi për dëmshpërblim të imazhit tim qoftë në Gjykatën e Stambollit, qoftë në Gjykatën e Tiranës do ta bëj javën tjetër. Në Stamboll kam statusin e garantuesit të kontratës së kaparit dhe në tiranë padinë për prishje të imazhit.

Spartak Koka: Zoti Idrizi ju mbani dhe pasaportë turke?

Sinan Idrizi: Nuk më kujtohet sa pasaporta kam, di që jam shqiptar.

Spartak Koka: Pasaportë turke keni?

Sinan Idrizi: Ç’lidhje ka kjo me çfarë pasaporte kam.

Idrizi flet për Ramën: Kam raport miqësor me deputetin e Vlorës

Blendi Fevziu: Ç’raport keni me Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë?

Sinan Idrizi: Me deputetin e Vlorës kam një raport shumë miqësor.

Blendi Fevziu: Raport miqësor që shkon deri ku?

Sinan Idrizi: Me deputetin e Vlorës!/tvklan.al