Zbardhet e kaluara e errët e Behar alias Fatmir Sofia

Fatmir Sofia që mbeti mëngjesin e kësaj të enjtëje viktimë, ishte pjesë e grupit të shkatërruar gjatë operacionit Esas në Turqi në 2 shtator të vitit 1998. Bashkë me të u arrestuan edhe futbollisti Ismail Çira, Hekuran Hoxha dhe shtetasit turq Abdulselam Turgut, Musa Kazim Aj dhe Xhevdet Shahin Ballxhëllar.

Gjatë operacionit u sekuestruan 30.5 kg heroinë. Lënda narkotike u kap teksa anëtarët e grupit e transportonin për në Bursa. Sipas prokurorisë turke, heroina ishte fshehur tek shtëpia e Fatmir Sofisë në qytetin e Gaziantep ndërsa ishte planifikuar që të kishte destinacion Shqipërinë. Dorëzimi i lëndës narkotike nga shtetasit turq te shqiptarët sipas prokurorisë ishte planifikuar që të bëhej në Stamboll.

Më pas personat kishin bërë marrëveshje për ta transportuar drogën me kamionë të ngarkuar me patate dhe heroina do të fshihej mes tyre. Por plani dështoi me arrestimin e futbollistit Çira dhe personave të tjerë në Bursa.

Person tjetër i njohur për drejtësinë shqiptare është edhe Abdulselam Turgut i cili aktualisht ndodhet në burg në Turqi për trafik droge. Ai është arrestuar edhe më parë në vendin tonë në vitin 2011. Ai u prangos në Rinas pasi emri i tij rezultonte në listën e Interpol. Turgut kërkohej nga autoritetet gjermane që në vitin 2009 për trafikimin e një ton drogë.

Në 10 Shkurt të vitit 2011 gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë por pak ditë më pas, në 4 Mars të atij viti, apeli ndryshoi masën duke vendosur për turkun arrest shtëpie në një apartament të papërcaktuar në Kamëz. Por Turgut u arratis pa lënë gjurmë. Sipas policisë shqiptare, Abdulselam Turgut ka patur lidhje të vjetëra me krimin e organizuar në Shqipëri ndërsa në vitin 2019  bashkëpunoi me një celulë iraniane për të kryer sulm në vendin tonë.

Edhe anëtari tjetër Hekuran Hoxha është arrestuar  në vitin 2018 si pjesë e gurpit të Shijakut gjatë operacionit Volvo 4.

Klan News