Ngec Milan, rihapet gara në Seria A

Milan ka bërë një hap fals në garën për titullin e Seria A. Kuqezinjtë barazuan 1-1 brenda në “San Siro” përballë Udinezes, duke mbetur në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit, i distancuar ndjeshëm me Interin kryesues. Të besuarit e Piolit arritën të gjenin 1 pikë falë penalltisë së Kessi, që shtangu Udinezen.

Barazim spektakolar 3-3 mori Sassuolo në shtëpi ndaj Napolit. Vendasit kaluan 2 herë në avantazh, gjithsesi, ishte Napoli ai që po triumfonte deri në minutën e 95-të. Di Lorenzo dhe Insigne përmbysën gjithçka në favor të jugorëve, që në fund shkaktuan një penallti, nga ku Caputo u tregua i saktë për t’i dhënë një pikë Sassuolës.

Fitore me manita golash, 5-1 regjistroi Atalanta në shtëpi përballë Crotone. Pesë futbollistë të ndryshëm të bergamaskëve gjetën rrjetën, për ta ngjitur Atalantën në vendin e katërt me 49 pikë. Roma kaloi me shumë vështirësi, Fiorentinën me shifrat 2-1 dhe ngjiten të pestit me 47 pikë. Në barazim 1-1 u mbyll derbi i Xhenoas mes Xhenoas dhe Sampdorias, pikë që iu shërben dy skuadrave të qëndrojnë në mesin e klasifikimit.

Klan News